Njoftim akuzash për Mark Frrokun. Vrasja e Aleksandër Kurtit, përfitimet nga trafiku i drogës dhe bizneset me Tomën

Postuar në 07 Dhjetor, 2015 11:19

Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur 4 akuza për shtetasin Mark Frroku, i cili aktualisht gjendet nën masën e sigurisë “arrest me burg”, caktuar nga Gjykata e Lartë.
Në bazë të hetimeve, Prokuroria e akuzon atë për “Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim”. Kjo vepër i atribuohet të pandehurit për ngjarjen e ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë, kur pas një përleshje ndërmjet të akuzuarit Frroku, në bashkëpunim me disa të tjerë, ka mbetur i vdekur shtetasi shqiptar Aleksandër Kurti. Në bazë të veprimeve proceduriale hetimore, rezulton se i pandehuri Frroku dhe 3 bashkëpunëtorët e tij kanë vrarë shtetasin Kurti, për shkak të përplasjeve në aktivitetin e paligjshëm të shfrytëzimit të prostitucionit.
Akuza e dytë është “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë”. Gjatë të hetimeve të kryera, bazuar në kallëzimin penal të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), shtetasi Mark Frroku akuzohet se nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë në vlerë mbi 2 milion dollarë.
Akuza e tretë për Frrokun është “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Mark Frroku është dënuar në vitin 2002 nga autoritetet e Hollandës me 3 vjet burgim, për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.
Dhe akuza e katërt është “Ndërtim i paligjshëm”. Shtetasi Mark Frroku ka blerë disa prona të paluajtshme si truall, apartamente, njësi biznesi dhe garazhe nga shtetasi Tom Doshi, ku vlera e përgjithshme e kontratës është rreth 740.000.000 (shtatëqind e dyzetëmilion) lekë të reja. Me anë të kësaj kontrate deputeti Mark Frroku ka blerë dhe pasurinë, e cila është një sipërfaqe trualli 314 m2. Mbi këtë sipërfaqe trualli është ndërtuar ndërtesa 4 katëshe ish Hotel Pensioni, dhe mbi këtë ndërtesë ekzistuese është shtuar edhe një kat shtesë, si dhe është bërë edhe një shtesë 1 katëshe anësore e cila është pa leje ndërtimi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.