Shënim: “Armëpushim” me informalitetin(biznesin e vogël) dhe harresë e plotë e Evazionit(biznesi i madh)

Postuar në 16 Nëntor, 2015 21:41

Qeveria tregoi sot fytyrën e mirë, atë fytyrë që njeriu e bën zakonisht kur ka një hall të madh. Deklaroi se nuk ka rritje taksash, madje duke ulur taksat për biznesin e vogël, të cilin e masakroi për 2 muaj me radhë. Qeveria premtoi sot në formën e një lajmi se nuk do të ketë më kontrolle nga inspektorët tatimorë, duke pranuar pa dashje, se vizitat e këtyre xhandarëve të fiskut kanë qenë pjesë thelbësore e problemit.

Çfarë çalon në këtë tullumbace të re propagandistike? Po të shohësh atë që thotë ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, kupton se kthesa e qeverisë i parapriu dhe reflektoi tensionimin social dhe kontraktimin ekstrem të ekonomisë nga vetë masat që qeveria mori. Në këtë pikëpamje çalon këtu retorika për ta shitur kthesën si sukses të reformave. Thotë ministri i Ekonomisë për Top-Channel:  “Zerimi i taksës për biznesin e vogël është një rrjedhojë e drejtpërdrejtë e suksesit të operacionit anti-informalitet. Sot përfitojnë 83 mijë sipërmarrje të vogla. Deklarimi i kryeministrit sot do të thotë se që nga 1 janari do të zerohet taksa për biznesin e vogël. Deri më sot, një pjesë e tyre kanë paguar 250 mijë lekë të vjetra në vit, pra do të paguajnë zero. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në 25 vite. Është hera e parë që biznesi i vogël paguan 0 taksa, përveçse detyrimin që të paguajë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Fasha nga 5 deri në 8 mln ka një ulje me 33 përqind. Për shkak të suksesit të reformave dhe të aksionit kundër informalitetit, sot biznesi i kësaj fashe do të paguajë vetëm 5 përqind tatim fitimi”. Ministri në fakt gabon disi. Në periudhën 1992-1997 nuk dihet të ketë patur ndonjë farë taksimi të vërtetë për biznesin e vogël. Së dyti, qeveria sot shpall si masë lehtësuese uljen e taksës, por edhe kur shpalli buxhetin e vitit 2015, edhe kur ndërmori aksionin kundër informalitetit, nuk u tha prej askujt nga përfaqësuesit e saj, se këto ishin masa shtrënguese. Sidomos vlen kjo për ministrin e Ekonomisë që ka qenë protagonist në çdo sipërmarrje politike. Natyrisht ky është një lajm i mirë pasi ul presionin mbi një bazë shumë të gjerë subjektesh që janë çelës për punësimin dhe konsumin dhe zbut raportin represiv të ndërtuar deri më tani me ta. Kjo megjithëse qeveria na thotë sërish informacione të dyshimta. Të ardhurat nuk janë realizuar në normën e pritur dhe parashikuar për të gjithë vitin, edhe pse formalizimi i bizneseve është rritur. Arsyet që kryeministri dhe ministri i Financave ka nxjerrë për këto mosrealizime kanë qenë akciza e duhanit, rënia e çmimit të naftës, heqja e TVSH-së për makineritë dhe ndryshimi i modelit ekonomik.

Pra sulmi kundër informalitetit nuk solli ndonjë moment pozitiv referuar të paktën asaj që na thotë qeveria. Pse atëherë kthesa e tanishme referon pikërisht këtë aspekt? Mbetet pak vend për intepretim: si një nga nismat më të debatuara dhe të kundërshtuara, qeveria po mendon ta ndalojë represionin, duke i shitur rezultatet e tij për sukses dhe duke shoqëruar me politika sociale. Që në fakt janë e vetmja rrugë që mbetej në kushtet e një rënieje edhe të besimit. Për biznesin pak rëndësi kanë këto, pasi tani krijohet një frymëmarrje e re. Por në planin politik mund të nxirren dy përfundime: qeveria operon në mënyrë aventureske, selektive  dhe diletante në raport me biznesin. Të paktën deri më tani. Për ilustrim të vihet re se shifrat e “susksesit” në luftën kundër informalitetit nuk janë thelbësore për nga ndikimi. Nëse qeveria do ta kishte të studiuar aksionin e ndërmarrë dhe me bazë, të dhënat do të duhet të silleshin të shoqëruara me ato të marra nga lufta kundër evazionit. Por siç mund të vihet re lehtë, Evazioni është një fjalë që është harruar, pasi ai ka të bëjë me biznesin e madh. Dhe aty qeveria nuk po guxon të prekë kënd. Ky është një problem shumë serioz, sidomos për një qeveri që pretendon se është e majtë.

Së dyti, mund të thuhet se presioni ndaj saj funksionon dhe shumë mirë madje. Sot qeveria hoqi dorë nga një marrëzi që po e çonte besimin ndaj saj në fund dhe ekonominë, edhe kështu për ibret, drejt kolapsit. Dhe ky është përfitim për opinionin dhe shoqërinë, pasi në kushtet kur nuk kemi një qeveri që arsyeton, apo parashikon dhe planifikon, do të duhet të kënaqemi me faktin se kemi një qeveri që nënshtrohet ndaj presionit publik. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.