Teoritë e konspiracionit gëlojnë. Edhe Kina paska “Bilderbergun” e vet

Postuar në 21 Gusht, 2015 13:53

Teoritë e konspiracionit në Perëndim janë ndoshta në krye të listës për “shpjegimin” e shumë vendimeve dhe ngjarjeve. Madje aq sa tezat e përpunuara prej tyre popullarizohen më shpejt se ndonjë konkluzion që merr parasysh shumë faktorë. Këtij perceptimi nuk i shpëton as Kina, rritja e së cilës këto dy dekada ka qenë spektakolare dhe më e rëndësishmja: zhvillimi nuk ka sfiduar për asnjë çast monopolin politik të Partisë Komuniste, e cila ka ditur të reformojë ekonominë. Mirëpo për ata që nuk e shohin kështu, ka patjetër diçka nga pas, një mençuri të disa pak njerëzve, që mblidhen diku bashkë, diskutojnë dhe vendosin për 1 miliardë të tjerë. E vërteta është se klube të tilla mblidhen dhe ekzistojnë, por është shumë e dyshimtë që ata të parashikojnë dhe kontrollojnë gjithçka. Në rastin e Kinës, grupi që mblidhet krahasohet me të famshmin “Bilderberg”, të cilit në Perëndim i mvishet rëndom projekti për qeverinë botërore.
“Është i njohur fakti se Partia Komuniste e Kinës(liderët) zhvendoset në verë në plazhin e Beidaihes, në provincën e Hebeit. Aty vendosen qëllimet e politikës për çdo vit. Mbuluar me sekretin më të plotë, nuk ka asnjë mënyrë për të marrë vesh se cila është axhenda e takimeve në
Beidaihes. Mendojini ata si Bilderbergun e Kinës; ajo çfarë dihet është se...liderët politikë takojnë ekspertë të ekonomisë, shkencës dhe shkencave sociale, për të formësuar strategjitë e mëdha që mbështesin rritjen dhe zhvillimin e vendit”, shkruan “Daily Beast”. Sipas kësaj të fundit, në tavolinë zbulohen të dhënat e vërteta...jo ato ku thuhet se Kina ka rritje ekonomike 7%. Sivjet samiti u mblodh më herët, më 3 gusht, çka kuptohet nga lëvizjet e ushtarëve në zonë. DB shkruan se edhe propaganda antijaponeze është përpunuar pikërisht aty, në këto takime, duke shtuar se këtë vit është ekonomia shqetësimi kryesor.
Takime të tilla ndodhin ndoshta kudo, në ShBA ka mjedise private, në Europë po ashtu. Ideja për të paraqitur takime të tilla si extra institucionale është në fakt shqetësimi kryesor. Më tepër sesa kurioziteti për të marrë vesh me hollësi se çfarë u vendos. Po t’i qëndrohet logjikës, ata që mblidhen mendojnë dhe vendosin çfarë do të bëjnë, por nuk ka ndonjë arsye shumë të qëndrueshme, për të besuar se ndonjë mrekulli e ligë, del medoemos nga mendje dhe takime të tilla.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.