Greqia drejt zgjedhjeve të parakohshme. Dhe dy dokumente të ofruara nga Varoufakis

Postuar në 20 Gusht, 2015 17:05

Mediat greke tashmë e konsiderojnë fakt rrëzimin e qeverisë së Alexis Tsipras. Sipas tyre ai do të kërkojë zgjedhje të parakohshme, data e të cilave mund të jetë 13 apo 20 qershori. Shkak është humbja e numrave brenda partisë që çoi në këtë krizë të re për Greqinë, në kohën që marrëveshjet me Trojkën po ecnin përpara. Duhet thënë se Tsipras bëri shkëputje të madhe nga vota e referendumit e cila ishte kundër masave shtrënguese të kërkuara nga Gjermania. Por kryemimistri grek, duket se e gjeti gjuhën me partnerët europianë, të cilëve u bëri konçesione të mëdha. Një prej këtyre konçesioneve ishte edhe largimi i ish-ministrit të Financave, Yannis Varoufakis. Ky i fundit, sot poston një shkrim në blogun e vet, shoqëruar me dy dokumente: “Një plan për konsolidimin fiskal të Greqisë, Ringritjen dhe Rritjen e saj” si dhe “Përfundimi i krizës greke: reformat strukturore, investimet për rritjen ekonomike dhe menaxhimin e borxhit”. Varoufakis thotë se dokumentet u janë bërë të njohur në formën e propozimeve partnerëve europianë, përkatësisht më 11 maj dhe 11 qershor, duke nënvizuar: “Shtypi na akuzonte se nuk kishim një plan...përfaqësuesit e Trojkës përsërisnin deri në mërzi se “ne nuk e dimë se çfarë po propozonin grekët”. E vërteta është se ata e dinin shumë mirë se çfarë ne po propozonim, por...qëllimi ishte poshtërimi i qeverisë sonë”. Thënë kjo, ish-ministri i Financave, që i jep një goditje kështu edhe kryeministrit në ikje apelon: “Po ua lë lexuesve të gjykojnë se kush nga dy shpjegimet është më i besueshëm”. Në finale, Trojka mori atë që donte, Tsipras provoi pabesinë si taktikë, por mesa duket grekët e Syrizas qenkan më parimorë se ai. Çështja tani shtrohet se kush figurë mund ta konkurojë në votime?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.