Tranzicioni politik në Shqipëri nuk ka të sosur

Postuar në 26 Nëntor, 2013 02:16

Ka kaluar pa vëmendje një konferencë me temë “A ka përfunduar tranzicioni politik në Shqipëri?”. Nuk dihen qëndrimet e mbajtura atje, por një e përditshme, teksa raportonte, kish veçuar një pasazh të Servet Pëllumbit. “Është koha të mbyllet tranzicioni politik”, citohet të ketë thënë në thelb Pëllumbi, dhe tranzicionin politik e ka lidhur, gjithnjë sipas gazetës në fjalë (GSH), me praktikën e delegjitimimit të kundërshtarit politik. “Mjaft [me praktikën e hedhjes së fajit] mbi një armik të përhershëm, [të cilën e bart dhe e manifeston] ai që edhe sot e kësaj dite flet për bllokmenë”, është shprehur ish kryetari socialist i Kuvendit që së fundmi është përmendur për publikimin e një dokumenti bajagi të diskutueshëm (tek programi TV i gazetarit R. Qafoku) që rreket të nxjerrë në shesh e të vërtetojë frymëzimin katovician të përmbysjes së komunizmit në Shqipëri.

Nuk e kam ndjekur fjalën e plotë të Pëllumbit në atë konferencë (edhe sikur ta ndiqja të plotë, nuk është e thënë që një fjalë konference të jetë ezauruese), por jam me idenë që tranzicioni politik përkufizohet në mënyrë më të gjerë, e në këtë pikë jam i sigurtë që edhe Pëllumbi do ish dakord. Sigurisht, delegjitimimi i kundërshtarit politik është një nga tiparet e politikës së dy dekadave të fundit, por sjellja e klasës sonë politike është dalluar dhe për cilësi të tjera tranzicionale. Nga ana tjetër, nuk është vetëm kjo sjellje që e ka përcaktuar, dhe e përcakton, këtë tranzicion të pasosur. Kjo sjellje mund të ndryshojë në një moment të caktuar (dhe diçka ka filluar të ndryshojë), por me këtë nuk shënohet automatikisht fundi i tranzicionit. Do shënohej thjesht fillimi i fundit. Ka dhe kritere të tjera në këtë mes. Fjala vjen, nuk mund të flitet për fundin e tranzicionit për sa kohë që nuk është mbyllur odiseja e zgjedhjeve të parregullta (shumëkush ka vlerësuar se kjo odisé u mbyll më 23 qershor, por kjo gjë nuk është hiç e vërtetë), për sa kohë që administrata publike tronditet nga themelet sa herë që pushteti ndërron duar, për sa kohë që institucionet publike e shtetërore ndërtohen me logjikë partizane e refuzohen nga opozita me të njëjtën logjikë, etj, etj. Kështu që tranzicioni politik është një dukuri më e komplikuar se sa duket.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.