Të prishësh me ligj ndërtimet e paligjshme

Ylli Manjani ka dhënë një intervistë për Top-Channel-in, në të cilën ka thënë të vetën mbi të ashtuquajturin ‘Kompleksi Jon’ në Vlorë, në Ujin e Ftohtë, buzë detit e mbi det. Nuk sqarohet mirë se me ç’status është intervistuar Manjani për këtë çështje (ai është zv.ministër i Transporteve), por ai i ka bërë – dhe unë po i gëzohem këtij fakti – një panoramë të plotë të ngjarjes, që mund të përmblidhet si vijon: “Pronarëve origjinalë u janë kthyer 600 metra katrorë truall nga Agjencia e Kthimit të Pronave në vitin 1995; më pas, Gjykata e Vlorës u ka kthyer atyre dhe 1000 metra katrorë të tjera. Më pas, ata i kanë shitur këto 1600 metra, dhe sot kemi një ndërtim të bërë në një truall 3000 metra katrorë. Ndërtimi, si ‘pasojë e njw spektakli institucionesh totalisht të korruptuara’, është me leje, por ka disa kate shtesë që janë pa leje.” Kjo është fabula. Është e qartë pra se ky ndërtim është realizuar pas një morie shkeljesh ligjore, dhe shembja e tij do duhet ta fitojë legjitimitetin nëpërmjet një procedure që fut apo rifut në punë institucionet shtetërore, dhe që e përcjell çështjen në kalendat greke. Shembja e këtij pallati do ta bënte të besueshëm aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje, por nga ana tjetër procesi i shembjes nuk duhet të imitojë procesin e ndërtimit, dmth nuk të jetë i paligjshëm. Ky është ngërçi në këtë histori, dhe ky ngërç vihet re edhe në rrethana të tjera, ku po njësoj kërkohet të respektohet ligji për prishjen e ndërtimeve të paligjshme. Si i bëhet? Personalisht, nuk do të isha në gjendje t’i jepja një zgjidhje këtij impasse-i. Por në këtë mes më bën përshtypje një gjë tjetër. Ky ndërtim është bërë nga vjehrri i Lulzim Bashës. Paligjshmëritë e këtij ndërtimi janë denoncuar nga media qysh në krye të herës, dhe hap pas hapi, por Lulzim Basha nuk ka lëvizur as gishtin për të shkurajuar praktikat antiligjore. Përkundrazi, bën vaki që i ka inkurajuar, gjë që duket dhe te fakti që e ka vënë sot të gjithë partinë e tij në dispozicion të kësaj kauze të qelbur. Dhe hajde e prit hair nga kjo opozitë!
Dita
Add new comment