Ministrat që nuk e bëjnë hall një akuzë ndaj tyre… e kanë një hall

“Erion Veliaj dhe Arben Ahmetaj udhëtojnë në avion në ‘business class’ me bileta 2 mijë dollarëshe” – ky ish titulli i lajmit (kishin bërë një zhvendosje s-ësh: ‘business’ e kishin shkruar “bussines’), i lajmëruar qysh në faqe të parë të Gazetës Shqiptare. Lexova dhe raportimin në faqen e brendshme. “Bravo Gazeta Shqiptare!”, thashë me vete, dhe aty për aty mendova që Zululandin e radhës ta bëja për këtë shpenzim stratosferik qeveritarësh.
Unë nuk kam fuqi ta kuptoj arsyen pse një ministër duhet të udhëtojë në ‘business class’, ashtu si nuk kam fuqi ta kuptoj pse politikanët shqiptarë, ministra, deputetë, etj, dhe familjarët e tyre duhet të privilegjohen në aeroportin e Rinasit, duke e kaluar doganën, jo aty ku e kalojmë të gjithë ne vdekatarët e tjerë, por në një linjë shërbimi ‘vip’. Gjithnjë mendoj: lëri të tjerat, por si s’u vjen pak marre atyre që i gëzohen kësaj prerogative? Si nuk del qoftë dhe njëri syresh ta denoncojë këtë prerogativë si të turpshme?
Por po kthehem tek lajmi i biletave. Disa orë më vonë, agjencitë e lajmeve online kishin publikuar një përgënjeshtrim të Erion Veliajt. “Nuk është e vërtetë; kam udhëtuar në ‘economy class’”, thosh ky i fundit në deklaratën e tij, dhe e provonte pretendimin e tij. “Shyqyr”, thashë me vete, dhe afërmendsh, ky lokucion gëzimi nuk më doli prej faktit që Erioni doli i larë në këtë histori, as prej faktit që një ministër kish udhëtuar në ‘economy class’, por prej faktit që një ministër ngutet të përgënjeshtrojë një akuzë që hidhet në adresë të tij. Kjo duhet bërë nga të gjithë ministrat, e dinjitarët e tjerë të shtetit, të cilët në këtë mënyrë jo vetëm mbrojnë imazhin e tyre publik, por edhe nuk e lënë opinionin publik të trazuar e gjithë dyshime mbi qeveritarët e vet.
Madje, këta të fundit do bënin mirë t’i jepnin fund dhe praktikës berishiane “për të mos ngritur padi kundër gazetarëve”. Kjo ka qenë një praktikë që ka shërbyer si alibi për heshtjen e ministrave në rrethanat kur janë akuzuar faqe botës. Ministrave që nuk bëjnë përgënjeshtrime në rrethana të tilla ose u ka plasur cipa, ose s’u ka mbetur gjë për të thënë, ngaqë janë të korruptuar. Në secilin rast, nuk do ta meritonin të ishin ministra.
Dita
Add new comment