Karantinë

Postuar në 23 Korrik, 2026 18:32
Skerdilajd Zaimi

 

Në vitin 1789 publikohet një libër që mandej do të marrë përhapje të gjerë. “Një rrëfim mbi Lazaretet kryesore në Europë” me autor John Howard, britanik, i cili në dritën e nevojave të shëndetit publik në përballje me murtajën, sistemon dhe evidenton përvojën europiane në menaxhimin e kësaj sëmundjeje. Apo epidemive të tjera. 

Metoda e Howard është e thjeshtë dhe ajo ka vlerë sepse shoqërohet me planimetri konkrete, me shpjegimin dhe listimin e masave të marra nga shtetet e kohës që synonin kufizimin e çdo incidenti dhe vijimin e jetës ekonomike. Në listën e tij figurojnë Marseja, Dalmacia, Triestja, Kotorri, Korfuzi, Zakinthos, Napoli, Malta. Të gjitha vende ku autoritetet kanë ngritur qendra izolimi dhe karantine që quheshin Lazarete. Emri buron nga Shën Maria e Nazaretit me ndërmjetësim ndoshta të Shën Llazarit, që ka qenë emri i përdorur në spitalet kundër lebrozëve.

Jehona e kësaj toponimie administrative jehon ende sot edhe në Shqipëri me fshatin Lazarat në Gjirokastër, rajon i njohur për epidemitë. P.sh fshati Kamenicë në Delvinë u braktis dhe doli nga historia për shkak të një epidemie, ndërkohë që karantinat veneciane në Korfuz ishin të lidhura me shpërthimet e hinterlandit që ishte zona e sotme e Vurgut.

Në librin e Hoëard nuk përmendet Shqipëria, asokohe “zotërim otoman” por për ta nxjerrë konkluzione të ngjashme na mjafton fakti se masat e marra në Zaqinthos merrnin në konsideratë p.sh depërtimet dhe hyrje – daljet nga Morea. Është jashtë çdo dyshimi se shkëmbime të tilla lidheshin edhe me territoret e kohës që sot janë Shqipëri.

Në trajtimin e vet, autori i kushton hapësirë sidomos rastit të Venedikut që cilësohej si modeli I ndjekur prej të gjithëve për rregulloret e vëna në zbatim për shëndetin publik dhe qarkullimin e anijeve në port.

Si një ndër shtetet kryesore të kohës, ngritur ekskluzivisht mbi tregtinë detare, Serenisima spikat me mënyrën si kishte rregulluar hyrje-daljet, karantinën, izolimin, kontrollin, gjithçka nën përgjegjësi të një Zyre Shëndetësore që luante rolin e një gjykate, vendimet e së cilës ishin të paapelueshme.

Në kategorizime të ndryshme për këtë temë studimi i lazareteve lidhet me makrotoponiminë e Adriatikut, por në të mbetet jashtë bregdeti shqiptar. Howard përmend se venecianët zbatonin rregulla më të ashpra për të gjitha anijet që vinin nga zotërimet turke, pasi sipas tyre, turqit nuk ishin të kujdesshëm në parandalimin e kësaj sëmundjeje të rëndë.

Raporti i tij i vitit 1789 ka një kapitull interesant ku shpjegohet sesi kapitenët e anijeve që hynin në port shoqëroheshin dhe mandej merreshin në pyetje në “contrived places” të Zyrës Shëndetësore, në “distancën e duhur”.

Këtu parashtrimi merr natyrë gati mitologjike, ku njeriut i kërkohet pak imagjinatë të vendoset në kontekstin e asaj skenografie dramatike, gati distopike ku çdo gjë, edhe lëvizja më e vogël, është e rregulluar rreptësisht. Priorët e Lazareteve, mesazherët, pritësit, rojet, ngjajnë si personazhe surreale në paradhomën e një bote që e rrethon veten me kordonë sanitarë.

Jemi vetëm 8 vjet para se Republika të shpërbëhet përfundimisht me goditjen napoleonike, e megjithatë, përshkrimi i Howard është gati ngjethës edhe sot nëse për një çast mendon sesi kanë jetuar. Në një botë gati pa ngjyra, me çelësa, regjistra, letra, karta, distanca sigurie që sigurojnë se edhe Fjala të mos kalojë balistikën infektuese. Spitali si nocion na vjen këtu si një lloj sajese arkitekturore, si labiinth që fut në kurth sëmundjen, e ngatërron mekanikën e baktereve në përhapje. Shpreson ta zhbëjë fatin e tyre njerëzor.

Contrived, termi që për një rastësi ka gjetur jehonë edhe nga poema “Gerontion” e Eliot, 1 shekull e gjysmë më vonë, kur ai flet për contrived corridors të Historisë, ngjan sikur hospitalizon shpirtin e njeriut që kërkon mandej shpëtimin gjetkë. 

Pasazhi i Howard:

Mbi pritjen e kapitenëve të anijeve nga Vende të dyshuara dhe marrjen e raporteve të tyre

Është këtu vendi të vë në dukje se në Venecia priten të gjitha anijet, edhe ato që dihet se kanë murtajën në bord; rregullat e shëndetit zbatohen shumë saktë në çdo rrethanë; në këtë ata janë natyrshëm disi më strikt por për pjesën tjetër nuk devijojnë nga kursi o përcaktuar. Është po ashtu e nevojshme të vëzhgohet se të gjitha anijet, edhe ato të mallrave që vijnë nga çdo pjesë e zotërimeve otomane, o nënshtrohen domosdoshmërisht karantinës së plotë prej 40 ditësh; sepse turqit nuk marrin masa në parandalimin e kësaj fatkeqësie të rëndë, apo të ruajnë veten prej saj; venecianët ndaj me të drejtë konkludojnë se është e pakujdesshme dhe shumë e rrezikshme t’i besosh çfarëdo certifikate shëndeti, edhe nëse ato janë të konsujve të tyre apo të tjerë, në vende ku ndonëse përhapja nuk duket hapur, mund të fshihet në grumbuj mallrash të transportuara nga pjesë të tjera…

Për të parandaluar pra pasojat fatale që mund të prodhojë një neglizhencë e tillë, ka një rregull të sanksionuar për trajtimin e të gjitha anijeve dhe atyre të mallrave që mbërrijnë në Venecia nga vende të dyshura, me të njëjtin kujdes dhe rezervim sikur të ishin të infektuara; dhe për të shmangur çdo rrezik para se ato të mbërrijnë, drejtuesit janë të detyruar në mënyrë strikte, me dënim kapital, për të mos hipur në asnjë anije nga Turqia, apo nga ishujt pranë saj, si dhe të mos përzihet me njerëzit; jo, as drejtuesi i mjetit nuk lejohet të shkojë në bordin e çfarëdo anijeje, derisa të sqarohet në zyrën shëndetësore apo nëse e kërkon nevoja, ata nuk duhet të kthehen në anijet e tyre, por të qëndrojnë në bord derisa anija të deklarohet e lirë nga zyra shëndetësore; dhe në rast të zbatimit të karantinës, piloti i anijes duhet të bëjë të njëjtën gjë…

Kur anija hyn në port, apo sapo zbulohet sinjali i sipërcituar(dhe zyra shëndetësore mban apostafat një person që të njoftojë afrimin e këtyre dhe të gjithë anijeve të tjera), një roje dërgohet në bord, e gjithë zyra nis që nga e moment dhe vazhdon derisa anija të kryejë karantinë: mandej në raste të rrezikshme, sapo anija ankorohet në pikën e caktuar, një barkë me disa ushtarë dërgohet të qëndrojë në një distancë të duhur dhe të vëzhgojë se asgjë nuk bëhet në kundërshtim me ligjet e vendosura. Mandej një nga mesazherët shkon të drejtojë kapitenin në zyrën shëndetësore; varka e tij ruan një distancë të duhur para asaj të kapitenit, hap rrugën dhe kujdeset që të mos ketë asnjë komunikim mes atyre në anijen e dyshuar dhe të tjerëve.

Kur ata mbërrijnë në vendin e zbarkimit në zyrën shëndetësore që është kaq e sajuar saqë kapiteni dhe njerëzit mund të flasin me atë në breg pa u afruar shumë, ai drejtohet menjëherë në një hyrje të izoluar për atë qëllim, ngjitur me zyrën, ku raporti i tij regjistrohet nga një nëpunës, nga një dritare në distancë të përshtatshme; bëhen pyetjet e zakonshme, si nga vjen ai; kur e ka lënë portin, nëse ka një kartelë të pastër shëndetësore apo jo; çfarë lloj udhtëimi ka bërë; nëse ka ndaluar në porte të ndërmjetëm; nëse ka patur prodhime në to apo jo; nëse kontaktoi mjete në det dhe të cilit shtet; nëse hipi në to, apo ata tek anija e tij; sa duar kishte në bord(njerëz) dhe nëse kishte pasagjerë; nëse kishin qenë të shëndetshëm gjatë gjithë udhëtimit apo nëse dikush vdiq, u sëmur; në çfarë konsiston ngarkesa e tij; e ka marrë atë të gjithën në një port: ky raport zbardhet i shkruar nga një nëpunës dhe mandej të gjitha dokumentet dhe letrat kërkohen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.