Këshilltari bashkiak i socialistëve, Pullazi: "Bozdo gënjeu për studimin e bërë nga Bashkia për koncesionin e parkingjeve publike"

“Bozdo gënjeu”! Ky është reagimi i këshilltarit socialist në këshillin bashkiak të Tiranës Florian Pullazi. Në një reagim publik në faqen e tij në facebook, Pullazi thotë se nuk e kupton se përse insiston kaq shumë një nënkryetar në ikje, në një çështje si ajo e dhënies së parkingjeve me koncesion, kur kanë mbetur edhe pak muaj nga zgjedhjet lokale. Sipas tij, “po të kishit pasur një plan do ta zgjidhnit çështjen e parkimit të Tiranës brenda vitit të parë të mandatit pasi si e tillë ishte dhe një premtim elektoral”. Këshilltari bashkiak socialist argumenton në vijim se: “1. Nuk do të ketë kompani ndërkombëtare që do të marrë pjesë në koncesion. Ajo është zgjedhur dhe është e shkruar në letër. Mashtrimi publik dënohet me ligj. 2. Konsultat me qytetarin duhet të ishin bërë me kohë, jo tani që drafti është sjellë për miratim. 3. Të gjithë do të paguajnë te kompania private. Kjo është e sigurt. 4. Përse Bashkia nxiton bashkë me disa të tjerë që kanë dalë sot dhe kanë filluar të ndajnë vendparkimet në Tiranë, pa marrë akoma vendimin e Këshillit Bashkiak. Kaq të sigurt janë ata që ky koncesion do të miratohet?!”. Më tej në mesazhin e tij në rrjetin social Facebook, këshilltari bashkiak i socialistëve, Florian Pullazi i qëndron besimit se, “Bashkia, jo me Lul Bashën në krye, i ka kapacitetet për të bërë të mundur që të menaxhojë me sukses këtë projekt dhe të ardhurat të shkojnë më shumë në drejtim të infrastrukturës dhe mirëqenies për Tiranën”. Nisur nga propozimi në fjalë, duket qartazi se dy firmat që kanë shprehur kërkesat e tyre për mundësinë e marrjes me koncension të vendparkimeve, të kenë dorëzuar studime të ndikueshme në adresë të Bashkisë së kryeqytetit. Nisur nga lajmi që vetëm dy ditë më parë u bë i njohur për parkimet me koncesion, fakti që shkresën e studimit e kanë përcjellë vetëm këto dy firma, siç vërtetohet në shkresën drejtuar Bashkisë, tregon që koncesioni mund të jetë i ndikueshëm.
l.v
Add new comment