Shantazh i hapur dhe i fshehtë ndaj ministrit italian të Mbrojtjes: Jam vetëm!

Postuar në 24 Janar, 2026 13:17

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto ka folur në “Corriere della Sera” për një skandal mirëfilli shtetëror ku ai është përfshirë si protagonist dhe viktimë.

Qëndroj prej tri vitesh duke pritur ulur në bregun e lumit

thotë ai.

Po çfarë po pret ministri? Atë që pret Njeriu që nga nisja e kohës publike: Drejtësinë.

Sipas tij, çdo gjë nisi me publikimin tre vite më parë të disa artikujve me të dhënat e tij fiskale. Të saktë siç thotë ai deri në presjet dhjetore. Nisur nga element që provokon dyshimin objektiv të çdo njeriu, Crosetto sqaron se do të niste një proces gjyqësor që zbulon sipas tij një Trafik Ilegal Informacioni.

Skema është thuajse identike me ato që dëgjojmë shpesh në Shqipëri siç ishte rasti i pagave në tatime. Në qendër të rrjedhjes së qëllimshme të informacionit del Pasquale Striano, një toger i Guardia di Finanza në shërbim të Drejtorisë Kombëtare Antimafia. Nuk ishte vetëm. Striano gjallonte në atë që Prokurori Raffaele Cantone do ta quante gropa e parazitëve.

Çështja "Crosetto" fitonë dinamikën tipike italiane. Ai ekspozon faktet, por sulmohet nga të gjithë. E Djathta, qendra dhe e majta. Sepse Sistemi nuk mund të goditet pasi i ushqen të gjithë. I braktisur nga të gjithë, ministri nis betejën ligjore.

Mendova se do arkivohej çdo gjë. Atëherë nisa të paraqes denoncime për të kuptuar se cilat pjesë të shtetit ishin të përfshirë. Në këto vite nuk kam patur asnjë solidaritet as njerëzor dhe as politik

shprehet ai.

Çështja ka një gravitet shumë të madh për shkak se ilustron kontaminim strukturor duke vënë në diskutim mandej kapacitetet reale të përmbushjes së synimeve që iu janë vënë institucioneve kritike si Komisioni Antimafia.

Ministri shtron pyetjen thelbësore:

Për cilën arsye gërmonin në jetën time dhe të familjes sime? Për të krijuar një krim? Për llogaritë kujt punonin? Kush mund të vendosë që të devijojë pushtetin e shtetit për të mbajtur në dorë dikë për ta shantazhuar?

Mes rasteve të tjera ai përmend atë të ish-ministres Federica Guidi dhe ish-kreut të Marinës që do të bëhej shef shërbimesh. Hetimi përfundoi në asgjë. Rasti tjetër, Calogero Mannino, ministri demokristian që u përfshi në një procedim gjyësor për 24 vjet.

Parlamenti duhet të nisë një seri reflektimesh mbi një problem që minon garancitë kushtetuese, godet politikën, partitë. Të gjithë

thotë ai.

Skema është e thjeshtë dhe të kujton të famshmen Lozhja P2: karrierë do të bëjnë vetëm ata që duhet. Të tjerët, që hyjnë jashtë radhe masakrohen me materiale kompromentuese në shkelje të ligjeve, dhe të privatësisë. Shteti përfundon kështu në një mekanizëm të pushteteve okulte që nuk cenohen asnjëherë. Dhe po flasim për një ministër në detyrë, që mesa duket nuk ka qenë komod për shumëkënd. Me qëndrime të forta kundër Rusisë, por edhe Izraelit.

Janë pushtet okulte që vetëkrijohen në bazë të nevojave përtë mbyllur qarkun e peneterimit nga jashtë dhe që evidentojnë një problem të pazgjidhur:

Kush i kontrollon ata që konotrollojnë?

Të dhënat tona më private, ia besojmë shtetit. Por shteti në këtë moment është një individ që sheh çdo gjë dhe mund të bëjë gjithçka.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.