Flamuri serb mbi Prizren? Berisha e dënon Daçiçin, por çfarë do të bënte po të ishte në pushtet?

Deklarata e Ivica Daçiçit se flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren është provokuese dhe e papranueshme. Por përtej reagimit të Sali Berishës, lind një pyetje thelbësore: a do të reagonte ai me të njëjtën forcë po të ishte në pushtet? Dhe pse mbrojtja e interesave shqiptare në Kosovë dhe në Ballkan bëhet kaq shpesh më e zëshme kur politikanët shqiptarë janë në opozitë dhe kur janë ‘ish-ministra’?
Në një deklaratë që ngjall kujtime të rënda nga historia e Ballkanit dhe projektet hegjemoniste serbe, Ivica Daçiç, një figurë e lidhur politikisht me trashëgiminë e regjimit të Slobodan Millosheviçit, u shpreh se flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren.
Kundër kësaj deklarate sapo reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili u shpreh:
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë deklaratë të kllounit, pasardhësit direkt partiak të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, që dëshmon edhe një herë se udhëheqja e verbër ultranacionaliste aktuale serbe është një armike e paqes, një rrezik real për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.”
Deklarata e Berishës është qëlluar dhe e qartë në dënimin e retorikës së Daçiçit. Megjithatë, përtej fjalëve dhe përplasjes politike të ditës, publiku shqiptar në Prishtinë dhe Tiranë ka të drejtë të kërkojë më shumë se deklarata të forta e populliste; Ka të drejtë të kërkojë qëndrueshmëri, përgjegjësi dhe veprime konkrete.
Pyetjet që unë kam për Berishën dhe, mendoj se do të duhej të përgjigjej janë:
A do ta dënonte Sali Berisha me të njëjtën forcë Ivica Daçiçin dhe retorikën nacionaliste serbe sikur të ishte kryeministër i Shqipërisë? A do të ndërmerrte hapa diplomatik konkretë: pra a do të kërkonte koordinim me institucionet e Kosovës dhe do ta kthente mbrojtjen e interesave shqiptare në një politikë shtetërore të qëndrueshme? Apo do të dëgjonim një gjuhë më të kujdesshme, të butë e të diktuar nga interesat diplomatike, raportet ndërkombëtare dhe kalkulimet e pushtetit?
Këto pyetje nuk janë akuza se si do të vepronte Berisha, por një provim politik që ai dhe çdo drejtues tjetër shqiptar duhet të jenë të gatshëm ta kalojnë, e që deri më sot Tirana zyrtare, tragjikisht, nuk e ka kaluar.
Patriotizmi nuk matet vetëm me ashpërsinë e një deklarate, pra sall me retorikë, kundër Beogradit. Politika patriotike matet me vendimet që merr një qeveri, me aleancat që ndërton, me mbështetjen që i jep Kosovës dhe me gatishmërinë për të mbrojtur interesat kombëtare edhe kur kjo kërkon kosto politike, partiake apo diplomatike.
Po Edi Rama? Pse ndryshon toni kur ndryshon pozicioni politik?
E njëjta pyetje vlen edhe për Edi Ramën. Pse qëndrimet për Kosovën, Serbinë dhe raportet shqiptaro-serbe bëhen objekt i një beteje të brendshme politike në Tiranë? Pse politikanët shqiptarë në Tiranë turren të flasin me tone të ashpra për çështjet kombëtare kur janë në opozitë, ndërsa në pushtet janë lepujë të qullur, makevialistë e të dëmshëm për gjeopolitikën shqiptare?!
A është Kosova një çështje e interesit kombëtar që duhet të bashkojë politikën shqiptare, apo një instrument që aktivizohet sipas nevojave elektorale të zyrtarëve tiranas?
A është e pranueshme, për ne shqiptarët, që një politikan ta përdorë retorikën kombëtare për të kritikuar kundërshtarin, por të mos ofrojë të njëjtin nivel transparence dhe llogaridhënieje kur vetë ka përgjegjësinë e qeverisjes?
Dhe, mbi të gjitha, a do të kishim të njëjtat deklarata nga Rama dhe Berisha nëse Kosova nuk do të ishte një temë që sjell përfitime politike (partiake) në Shqipëri?
Të dashur lexues,
Kosova dhe shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk duhet të jenë stoli për fushata politike, apo jo?
Deklaratat provokuese nga Beogradi i moçëm kërkojnë përgjigje të qartë, por edhe të mençur. Shqipëria duhet të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, të forcojë bashkëpunimin me institucionet e saj dhe të kundërshtojë çdo retorikë që rrezikon paqen në rajon; E kjo kërkon diplomaci të qëndrueshme, koordinim dhe përgjegjësi shtetërore, jo vetëm shkëmbim fyerjesh politike.
Në këtë kontekst, publiku shqiptar duhet të kërkojë përgjigje për disa çështje thelbësore:
Për Berishën: Çfarë do të bënte konkretisht si kryeministër përballë një deklarate të tillë nga Daçiçi?
Për Ramën: A do ta mbështeste pa rezerva të njëjtin reagim nëse do të vinte nga opozita dhe jo nga një kundërshtar politik?
Për të dy: A janë të gatshëm të ndërtojnë një platformë të përbashkët për çështjet strategjike që lidhen me Kosovën, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë?
Dhe përse nuk ekziston një standard i njëjtë kombëtar për mbrojtjen e interesave të Kosovës, pavarësisht rotacionit të pushtetit?
Konsekuent deri në pikën e fundit: çështja nuk është se kush e shqipton fjalimin më të ashpër kundër Beogradit. Çështja është nëse politika shqiptare ka një vijë të qëndrueshme kombëtare, që nuk ndryshon sipas sondazheve, zgjedhjeve apo interesave të ditës.
Ta keni të qartë; Kosova nuk është pronë e asnjë partie shqiptare dhe as municion për t’u përdorur kundër njëri - tjetrit sa herë kërkohen pikë politike. Ajo është çështje shtetërore dhe kombëtare, apo jo?
Sali Berisha dhe Edi Rama nuk meritojnë të gjykohen për atë që thonë sot për Daçiçin apo për Vuçiqin, por për atë që do të bëjnë kur janë në pushtet. E kjo vlen për çdo politikan tjetër shqiptar.
Sepse pyetja më e rëndësishme nuk është kush flet më fort e më me zjarr për Kosovën në opozitë, por kush është i gatshëm ta mbrojë atë me të njëjtën vendosmëri kur mban përgjegjësinë e pushtetit.
Apo jo, lexues të nderuar?
Gëzim Mekuli
- MA in Media Science and Rhethoric - University in Bergen
- BA Media & Communication - University in Agder
- Film, Media and Communication - University in Oslo
- BA Political science - University in Mainz, Germany
- BA English language and litterature - University in Prishtina
- Education theory in a multicultural context - Oslo University college (1)

Add new comment