Policia kundër Qytetarit
Montazhi satirizues në këtë rast(publlikuar në një llogari në Instagram) nuk ka të bëjë me ndonjë stigmë të zakonshme për policin. Ky i fundit është tallur përherë në ligjërimin bisedor si dikush që kupton me vonesë, madje edhe shakatë, një mënyrë kjo ironike për të vënë në lojë paaftësinë e përhershme të policisë për të parandaluar ngjarjet kriminale.
Kësaj radhe, satira ka ecur pak më tej: e krahason policin me një kondom duke vënë dallim thelbësor: kondomi mbron, kurse polici Jo. Nënteskti është i kuptueshëm: polici nuk të mbron jo për impotencë, por për faktin se tashmë ka kaluar në shërbim të krimit. Ai është armiku i qytetarit, e ka tradhëtuar qytetarin duke u shndërruar pjesë të një bande të re me uniformë.
Satira nuk mund të shkëputet nga realiteti, sado që ta ekzagjerojë atë. Ajo përpunon një të dhënë që vepron në shoqëri për ta qarkulluar atë si mesazh politik dhe qytetar. As në këtë rast nuk ka dallim. Të gjithë po ndiejnë se policia është një forcë e armatosur kundër qytetarëve, në asocim të plotë me krimin, të cilin madje e ka edhe mentor të punës së vet.
Asnjëherë më parë nuk ka qenë kjo gjendje, ky rrëgjim juridik dhe institucional. Asnjëherë më parë uniforma nuk është njollosur kaq rëndë, saqë policia të shndërrohet në zëdhnëse të krimit. Atij krimi që në të vërtetë tenton ende të luajë rolin efektiv të shtetit. Në këto kushte pyetja që shtrohet është se çfarë lloj kondomi duhet të përdorim për të ndërvepruar me Policinë e Krimit të Organizuar?
s.zaimi

Add new comment