Dy hipokritë të rrëzuar nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut

Në media sociale, në mjedise juristësh, po diskutohet një gjykim i fundit në Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut, që rikthen në vëmendje një çështje shumë të ndjeshme: integritetin e gjyqësorit, drejtësisë në tërësi dhe njerëzve që e drejtojnë atë. Një qytetar, Shiqiri Manjani, fiton në vitin 2020, konkursin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Shkolla refuzon ta regjistrojë nisur nga fakti se ai kishte qenë dënuar në vitin 2006, kur ishte vetëm 15 vjeç, një dënim që siç pretendon studioja ligjore që ndoqi çështjen e tij:
ishte pezulluar dhe shuar juridikisht pas rehabilitimit në vitin 2014
Vijon mandej studioja në fjalë, “Lawyers&More”:
GjEDNj konstatoi se autoritetet shqiptare nuk bënë atë që kërkonte ligji dhe drejtësia: një vlerësim individual dhe proporcional të rastit. Në vend të kësaj, u mbështetën në një logjikë formale që i dha më shumë peshë natyrës së veprës sesa faktit se ajo ishte kryer në mituri dhe se personi ishte rehabilituar prej vitesh. Disa nga elementët që GjEDNj theksoi:
- · ligji u aplikua në mënyrë prapavepruese, duke u mbështetur në ndryshime të vitit 2021 që nuk ishin në fuqi në kohën kur aplikanti aplikoi;
- · u injorua fakti që dënimi ishte shuar juridikisht pas rehabilitimit;
- · nuk u mor parasysh mosha e mitur në momentin e veprës;
- · nuk u analizua vepra e kryer, koha e gjatë e kaluar dhe sjellja e mëvonshme e aplikantit
Në krye të Shkollës së Magjistraturës është Arben Rakipi(që nga prilli 2020), po ai që sot mbahet me të madh vetë dhe nga kryeministri si drejtues I ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale dhe që drejtoi edhe punën për Kodin e ri Penal. Si vepron kështu ky njeri në institucionin që drejton? Si mund të besohet se ky njeri, i shkarkuar vite më parë nga Parlamenti për akte që cenojnë rëndë figurën e Prokurorit të Përgjithshëm, do të sjellë përmirësim në draftin e ri të Kodit Penal? Çfarë integriteti mund të ketë ai tanimë?
Lexoni me kujdes se çfarë ka thënë Gjykata Europiane:
- autoritetet shqiptare nuk bënë atë që kërkonte ligji dhe drejtësia: një vlerësim individual dhe proporcional të rastit.
- ligji u aplikua në mënyrë prapavepruese, duke u mbështetur në ndryshime të vitit 2021 që nuk ishin në fuqi në kohën kur aplikanti aplikoi
Pra Ligji është në fuqi. Është aty me të gjitha prerorgativat për të dhënë Drejtësi, por ai zbatohet KEQ. Në rastin në fjalë, është e sigurtë se zotin Manjani nuk e ka refuzuar recepsionistja e Shkollës, as sekretarja. Të jemi seriozë. Ai është penalizuar nga rakipllëku juridik që jep drejtësi shkel e shko dhe padrejtësi kirurgjikale. Dhe kur kjo praktikë përplaset mbi njerëz me pushtet, del me pretendimin se ligji është gabim.
P.sh a nuk po dëgjojmë ca si shumë këto kohë për proporcionalitetin në masa sigurie, për individualizim të arsyetimit në gjykata, për rritje të cilësisë së arsyetimi? Teza këto të artikuluara me një bindje gati filozofike nga Sokol Sadushi i Gjykatës së Lartë që me këtë rast i këshillon gjyqtarët e gjykatave të ulëta të jenë më europianë. Sadushi është pedagog në atë shkollë, ndërkohë që vetë, kolegu i tij profesor Rakipi, aplikon të njëjtin standard. Edhe kur ligji është në fuqi, madje me prapraveprim(nga gjykatat(vendimmarrjet e gjykatave), me gjasë për të goditur posaçërisht të drejtën e një qytetari. Është bërë padyshim një padrejtësi e ndërgjegjshme ndaj një qytetari dhe jo një gabim rastësor.
Më ironikja, Sadushi jep leksione se duhet vlerësuar masa në varësi të personit, jo vetëm veprës, Rakipi siç na thotë GJEDNJ, e pas tij edhe shokët nëpër gjykata, bëjnë të kundërtën. Sadushi flet vetëm për masat penale në proces hetimor, por nuk mendon se dëmi i praktikës që ai synon të korrigjiojë është po aq i madh në sferën civile dhe administrative. Ka ndodhur aty ku ai jep mësim. Arsyet pse nuk ndihet kush, kuptohen. Arsyet pse Sadushi kujtohet sot të unifikojë praktikën, nuk ka fare vend të parashtrohen.
E ka bërë këtë Arben Rakipi në vetë të parë, nuk e dimë. Por ai mban përgjegjësi si drejtues i një shkolle që aplikon masa të tilla. Ai mban përgjegjësi edhe sepse si një ish-kryeprokuror i shkarkuar, iu faneps sërish shqiptarëve si kokë e madhe e drejtësisë penale dhe drejtësisë në tërësi dhe duke qenë se vetë pretendon se iu bë padrejtësi dikur, duhet të ishte më i ndjeshëm ndaj rasteve të tilla. Shoku i Arben Përballës dhe Frederik Durdës – ja si mund ta përdiqte dikush këtë arbenin me të njëjtin metër që ai vepron ndaj një aplikanti. Por kjo nuk do ishte e drejtë dhe as e ndershme. Jo vetëm për respektin ndaj vetes, por edhe për çështje të faktit publik: tashmë z. Rakipi ka shok kryeministrin, edhe pse ende nuk e dimë nëse shoqërimi me të ia cenon sërish figurën apo e akomodon në Shqipërinë e masave të sigurisë.

Add new comment