Çfarë përfaqëson Konferenca e Tiranës e vitit 1956?

Është zhvilluar sot në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë një konferencë dedikuar 70-vjetorit të Konferencës së Tiranës të vitit 1956. Siç mund të verifikohet lehtësisht, ngjarja për të cilën është diskutuar shënon një episod të fundit të kundërvënies së hapur nda lidershipit të Enver Hoxhës në krye të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Konferenca e Tiranës, zhvilluar 1 muaj pas Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Bashkitmit Sovjetik, në bazë të analizës së 230 organizatave bazë të partisë në Tiranë, solli në evidencë një problem strukturor të ushtrimit të pushtetit, të cilin e kritikoi dhe kërkoi ta korrigjonte. Me fjalët e historianit Marnglen Kasmi, në atë konferencë u tentua moderimi i regjimit dhe jo ndryshimi i tij. Dhe me atë konferencë ndodhi sipas tij shndërrimi paradigmatik i debatit në armiqësi, duke krijuar kategorinë e armikut të partisë dhe të popullit.
Duhet thënë se për atë ngjarje ka dhënë dëshminë e vet në konferencën e sotme, edhe një ndër pjesëmarrësit, Niazi Jaho, i cili edhe vuajti pasojat e saj. Jaho renditi disa arsye që provokuan kundërvënien mes delegatëve dhe të dërguarve të qendrës që ishin Beqir Balluku dhe Fiqrete Shehu. Kërkesat ishin me karakter ekonomik, por edhe politik: ndryshim të mënyrës së ushtrimit të pushtetit, kritikë ndaj diferencimit mes elitës dhe popullit, nepotizëm dhe kulti i individit.
Ne donim një socializëm me fytyrë njerëzore pa e ditur se çfarë do ishte ky socializëm…Gjendja ishte krijuar, Kongresi I 20-të në Bashkimin Sovjetik dha impulsin
tha Niazi Jaho.
Dhe në fakt ky është edhe aspekti më provokues i Konferencës. Sa u ndikua ajo, apo edhe sa u orientua nga zhvillimet në Bashkimin Sovjetik? Kjo është e paqartë pasi në Kongresin e 20-të, Hrushovi bëri denoncimin e kultit të individit në një raport sekret, i cili siç tha Jaho, “nuk u vihej në dispozicion komunistëve të zakonshëm”. Megjithatë ngjarja detonoi një pakënaqësi të mbledhur që padyshim sintetizonte një seri ngjarjesh ndërkombëtare. Konferencën dhe rrjedhojat e saj mund t’i shohësh në disa drejtime: së pari në atë se çfarë përfaqësonte kritika e ngritur aty.
Nuk donim ndryshimin e regjimit
tha Jaho që shtoi se:
Përgjigja që u dha nga Enver Hoxha, nuk mori asnjëherë në konsideratë shqetësimet e ngritura aty për qeverisjen, por vetëm mënyrën e zgjidhjes së problemit politik të krijuar nga rebelimi
Në terma të kohës, ky ishte interpretim i pushtetit për ruajtjen dhe legjitimimin e tij dhe në këtë aspekt në lojë hyri edhe Sigurimi i Shtetit që sugjeroi narrativën e konspracionit jugosllav. Çka ilustron se kontrolli dhe uniteti ishin dhe mbetën tipare strukturore të PPSh-së, pavarësisht episodeve të rebelimit.
Të gjithë referuesit, Hamit Kaba, Marenglen Kasmi, Gjon Boriçi dhe Ylber Marku, vunë në dukje lidhjen mes Kongresit të 20-të të PKBS-së dhe Konferencës, si pjesë e një procesi që përfshiu mbarë lindjen Komuniste në vitin 1956. Në këtë suazë lind natyrshëm pyetja: a ishte konferenca një zhvillim i brendshëm, apo erdhi si refleks i ngjarjeve jashtë? Studiuesi Artan Hoxha, parashtroi se historiografia shqiptare vuan nga “kuadri interpretues” duke injoruar lidhjen qendër –periferi në interpretimin e ngjarjeve. Historiani Edon Qesari foli për nevojën e analizës së ngjarjeve jashtë frymës hegeliane të “heroit të ngjarjeve” duke nënvizuar nevojën e përfshirjes në analizë të forcave shoqërore.
Duke parë të gjitha këto vështrime mbetet përfundim logjik se i vetmi kënd që mund të racionalizohet në planin historiografik është ai i pushtetit. Pra veprimi i Enver Hoxhës. Çdo gjë tjetër mbetet hipotetike dhe e pakontekstualizuar qartë. Duhet thënë se Enver Hoxha nuk e pa kurrë të mundshme një martesë politike me Hruxhovin dhe për këtë nisi përpunimin e politikës së tij të re dhe edhe në Konferencë u theksua se ai kishte nisur afrimin me Kinën herët.
Nga ana tjetër, ky nuk ishte episodi i parë në të cilin Hoxha përballej me rreziqe personale. Pleniumi i Beratit i tetorit 1944, ishte një ngjarje shenjuese në karrierën e tij që e çoi në prag të rrëzimit. Viti 1947 me pushtetin e Koçi Xoxes dhe vetëvrasjen e Nako Spiros ishin deçizivë, kështu që nga ajo kohë e deri më 1956, Enver Hoxha e kishte kaluar stazhin e sprovave të tilla.
Ende sot nuk e dimë se cila ka qenë analiza e sovjetikëve për Konferencën, por Enver Hoxha duket se e ruan nevojën e afirmimit të drejtësisë së qëndrimeve të tij, kur në vitin 1980, në librin “Eurokomunizmi është antikomunizëm” thekson se në qershor të vitit 1956, Palmiro Togliati, shkoi shumë larg tezave të Hrushovit, kur shpalli “Rrugën italiane drejt socializmit”, sinjal i qartë se ideja e liderit sovjetik për destalinizimin, por interpretohej si shenjë dobësie e pushtetit qendror.
Edhe në konferencë u vu në dukje se ngjarjet e 1956-s në Hungari treguan se destalinizimi nuk duhej në asnjë mënyrë të kuptohej si de-satelitizim nga Moska, çka provon historikisht se aktet e dekretuara të liberalizimit tentojnë të kthehen në entitete subversive(kujtojmë ngjarjet e nëndorit 1973 në Greqi dhe konfliktin Ioanidis-Papadopoulos).
Çfarë na thotë kjo? Kjo na thotë se Konferenca e Tiranës shërbeu për dy operacone ideologjike serioze: së pari, me narrativën e konspiracionit jugosllav, ajo konfirmoi qëndrimin anti-sovjetik të Enver Hoxhës në këtë drejtim. Me këtë akt dhe me përforcimin e politikës pro-staliniane, Enver Hoxha, vendosi sovranitetin e partisë që drejtonte, duke hapur rrugën për instaurimin definitive të trojkës sunduese: Hoxha-Kapo-Shehu.
Së dyti, ky predikat ideologjik gjeti terren pjellor te ideja e sovranitetit të vendit duke pajtuar komunizmin e variantit shqiptar me një lloj nacionalizmi që zgjeronte bazën e apelit politike në disa spektre.
Sa i takon kuadrit interpretues për të cilën u fol në konferencë, duhet thënë se kjo kërkesë metodologjike e një historiografie të re, “moderne” është përmbushur disi më herët. Një pjesë e madhe e literaturës së kohës së regjimit të Hoxhës, është e angazhuar me shpjegimin objektiv të suksesit të lëvizjes komunste në Shqipëri, gjetjen e faktorëve dhe shtysave që sollën vitin 1945. Edhe në librin “Titistët”, përpos deformimeve dhe retushimeve, një pjesë e madhe e tekstit merret me polemikën e krijimit të PKSh-së që ndonëse mund të mos e sjellë të vërtetën për arsye të kuptueshme, si metodë e krijon të ashtuquajturin kuadër interpretues edhe pse këmënngul në një aspekt të tij.
Në fund, e vërteta është njerëzore, ajo nuk mund të ngurtësohet dot në asnjë objektiv historik. Dhe edhe për konferencën e Tiranës, nxjerr krye kjo anë kur me fjalët e Jahos, u tha se:
Guximi në atë konferencë vinte edhe se një pjesë vinin nga lufta
Çka provon se protagonizmi në procesin historik e modifikon pozitivisht ndërgjegjën politike të kujtdo.

Add new comment