Jepni statistika z. Sadushi para se të vendosni në mënyrë të njëanshme!
Gjykata e Lartë e Shqipërisë është investuar së fundmi për të rregulluar praktikën gjyqësore në dhënien e masë “arrest me burg”. Formalisht ndërhyrja do të normohet nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë që ka tanimë një kërkesë të bërë nga Sokol Sadushi, teoriecieni i vetëshpallur i politikës penale në raport me të drejtat e njeriut në Republikën e Socialistëve të Shqipërisë.
Çfarë kërkon Gjykata e Lartë sot?
Së pari ajo shpall si të tejkaluar dhe të papërshtatshëm më me kohën një vendim unifikues të Kolegjeve të vitit 2011, sipas të cilit gjatë shqyrtimit të masave të sigurimit:
- Si në rastin kur masa e sigurimit caktohet për herë të parë, ashtu edhe kur shqyrtohet zëvendësimi i masës ekzistuese, gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme, mjafton që të argumentojë se masa e caktuar prej saj në rastin konkret ndaj të gjykuarit është masa e përshtatshme.”
...edhe në rastin kur vendos caktimin e masës së sigurimit arrest në burg, gjykata nuk ka detyrim të analizojë në hollësi përse llojet e masave të tjera nuk janë të përshtatshme në çështjen në gjykim.
2. Në rastin e procedimeve penale për kryerjen e krimeve të rënda apo që kanë sjellë pasoja të rënda, për vetë natyrën e këtyre veprave penale, të mënyrës së kryerjes e të pasojës së ardhur, është i pranishëm elementi i shkallës së lartë apo të rëndësishme të rrezikshmërisë së autorit të tyre sipas nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale.”. Në të njëjtën linjë, vetë vendimi unifikues ka pranuar edhe se “rreziku i largimit” mund të lidhet “edhe nga vetë natyra e akuzave në ngarkim të të gjykuarit, nga rëndësia e faktit, e sanksionit për veprën penale dhe lloji e shkalla e pasojave të ardhura prej saj”.
3. Vendimi unifikues nr. 7/2011 vendos një standard për rastet e procedimeve penale që lidhen me krime të rënda, duke e lidhur “papërshtatshmërinë” e arrestit në burg me barrën e të provuarit nga i pandehuri. Në këtë vendim thuhet: “Masa e sigurimit arrest në burg e kërkuar nga prokurori ndaj të gjykuarit mund të çmohet nga gjykata si e papërshtatshme, vetëm nëse ai ose mbrojtësi i tij i paraqesin gjykatës prova pozitive që tregojnë se kjo gjendje rreziku nuk është e pranishme, apo që nuk është e pranishme në atë shkallë e rëndësi që të bëjë të zbatueshme masën e sigurimit arrest në burg.”
Pasi bën një ilustrim me tre shembuj nga proceset në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykata e Lartë deklaron se do të kërkojë se:
- Në interpretim të neneve 228 dhe 230 të KPP, a është në përputhje me këto dispozita dhe me nenin 5 § 3 të KEDNJ qëndrimi sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e “arrestit në burg”, gjykata nuk ka detyrim të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur prej saj është e përshtatshme për rastin konkret?
- Në interpretim të neneve 228 dhe 230 të KPP, a mund të nxirret “rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e të pandehurit”, si kriter për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale, nga rëndësia e saj e përgjithshme ose nga marzhi i dënimit, pa një vlerësim konkret dhe të individualizuar të rrethanave të rastit dhe të personit?
- 3. Kujt i takon barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së “arrestit në burg” dhe a është në përputhje me nenin 5 § 3 të KEDNJ dhe me nenet 228-230 të KPP qëndrimi sipas së cilit papërshtatshmëria e kësaj mase mund të pranohet vetëm nëse i pandehuri paraqet prova pozitive?
Pra nga tri çështje të shtruara për sqarim rreth masës së sigurisë arrest me burg, dy kanë të bëjnë me krimet e rënda si vepër penale. Ndërkohë që shkaqet formale për të përligjur ndërhyrjen lidhen me një rast të një shtetasi në Lezhë, i cili është arrestuar për kultivim bimësh narkotike, marrë masën arrest me burg dhe mandej kaluar në arrest shtëpie. Eventualisht përmes asaj që gjykata e Sokol Sadushit e quan “arsyetim të individualizuar të rastit”.
Tre rastet e tjera kanë të bëjë me ish-drejtorin e RTSh-së, Thoma Gëllçi, akuzuar për korrupsion dhe dy raste për vrasje dhe vjedhje me pasojë vdekjen. Vlerësimi që bëhet në këtë rast ka të bëjë strikt me faktin nëse rrethanat e çështjes, hetimi justifikojnë mbajtjen në burg të personit. Sipas Gjykatës së Lartë aplikimi i një mase nuk mund të relatohet me Veprën Penale, por me arsyetimin e individualizuar dhe personin nën hetim. Siç shprehet Gjykata:
Këto ndryshime ligjore nuk imponojnë domosdoshmërisht një standard të ri material për masat e sigurimit, por kërkojnë që standardi i arsyetimit gjyqësor të lexohet dhe të zbatohet në mënyrë më të individualizuar, më të kontrollueshme dhe në përputhje me karakterin përjashtimor të kufizimit të lirisë personale
Pra, gjykata nuk çmon se ka nevojë për rishikim legjislacioni, por për përmirësim të cilësisë së arsyetimit që lidhet strikt në të ëvrtetë me Profesionalizmin e Gjyqtarit. Kjo pasi edhe me vendimin unifikues të vitit 2011 që sot rishikohet është çmuar se:
kur kërkohet ose vendoset masa e “arrestit në burg”, gjykata nuk ka detyrim të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur prej saj është e përshtatshme për rastin konkret?
Pra gjykata nuk detyrohet të vlerësojë masa alterantive nëse çmon se masa e kërkuar është e përshtatshme, por nuk është thënë kund se Gjykata nuk ka të drejtë ta bëjë këtë gjë. A e përmirëson kjo cilësinë e drejtësisë? A kemi patur abuzim me të drejtën, apo kemi krijuar kushtet për një shabllonizëm?
Që z. Sadushi të jetë i besueshëm në këto që kërkon dhe që nisma e tij të mos kompromentohet në qëllim me vendimet e fundit për zyrtarët e lartë ai duhet të jetë i ndershëm profesionalisht dhe të ofrojë statistika. Jo si ato që thonë se 56% është marzhi i paraburgimeve, por edhe se në sa raste gjykatat kanë ndryshuar masat e propozuara “arrest me burg” në raport me kërkesat e prokurorive për veprat që sipërpërmenden?
Sa është kjo përqindje krahasuar me ato para vitit 2011 dhe pas vitit 2017 kur u bënë ndërhyrjet në Kodin e Procedurës Penale? Pasi nuk mund të bëhet ndëryrja bazuar mbi perceptime.

Add new comment