Rikujtojmë Epikurin me rastin e Ditës Botërore të Filozofisë

Postuar në 20 Nëntor, 2025 09:05
Jak Simoni

Bazuar në rëndësinë e  kësaj disipline, UNESCO që në vitin 2002 ka shpallur të Enjten e tretë të muajt Nëntor  si Ditën Botërore të Filozofisë.  Me rastin e kësaj dite  zhvillohen aktivitete shkencore gjithashtu nuk mungojnë  artikujt në gazeta e portale dedikuar filozofisë. Këtë vit po trajtojmë filozofin që gjeti ‘terapinë e shpirtit njerëzor’, Epikurin.

Pas vdekjes së Aleksandërit të Maqedonisë në vitin 323 p.e.Re, mendimi filozofik zhvillohet kryesisht nga shkolla rigoroze stoike me Krisipin e famshëm dhe ajo e komunitetit miqësor të Epikurit (341 p.e.Re.), jo më pak i famshëm dhe ky. Shkolla e tij e ka fillimin në Athinë në vitin 306 p.e.Re. Ajo është quajtur Kepos (kopshti). Në shkollën e tij bënin pjesë skllevër dhe gra, të cilët bënin një jetë të përbashkët larg nga jeta publike. Ai i kushtonte rëndësi të madhe ushtrimit të memories. Lexuesve  të tij ai nuk u kërkon një përgatitje paraprake.

Çdo moshë është e përshtatshme për t’u bërë filozof. Filozofia ka para së gjithash një funksion terapie. Një metaforë nga ai e preferuar është galenizmos që do të thotë qetësia e detit mbas stuhisë  por  kjo qetësi pengohet nga besime të pa baza që shpesh përhapen tek ne dhe na shkaktojnë ankth dhe frikë. Filozofia duhet të na lirojë nga këto besime dhe të na drejtojë në një port të sigurt.

Epikuri rimerr  teorinë e Demokritit mbi atomet dhe boshllëkun për të shpjeguar botën fizike.  Kjo tezë rrjedh nga eksperienca ku kuptohet se nga asgjëja s’ lind gjë dhe gjëja s’bëhet asgjë sepse po të ishte kështu bota do të ishte zhdukur me kohë, nga kjo rrjedh konkluzioni se universi është dhe do të jetë i përjetshëm. Në ndryshim me Demokritin për Epikurin atomet kanë peshë. Pranon ekzistencën e perëndive por ato nuk ndërhyjnë në çështjet njerëzore sepse përndryshe ato do të kishin zhdukur të keqen në botë. Për këtë arsye nuk ka arsye që njerëzit të kenë  frikë nga perënditë. Një tjetër frikë që shqetëson njerëzit është dhe frika nga vdekja. Për këtë Epikuri arsyeton në këtë mënyrë: Nuk ka arsye që ne të kemi frikë nga vdekja  sepse kur jemi ne  vdekja nuk ekziston dhe kur është vdekja atëherë nuk jemi ne. Frikë tjetër që trajton është dhe dhimbja dhe mosarritja e kënaqësisë.

Konsideron kënaqësinë si qëllim të jetës njerëzore. Kënaqësia, para të gjithash është mungesë dhimbjesh. Për të arritur lumturinë është e nevojshme një llogaritje e kënaqësive duke marrë parasysh dhe rrjedhojat e kësaj të fundit. Zgjedhja më e mirë është ajo që shkakton kënaqësinë më të madhe. Për sa i përket dhimbjes, filozofi nuk ka pse të ketë frikë nga dhimbjet sepse po të jenë të  forta zgjasin pak dhe po të zgjasin shumë me kalimin e kohës nuk ndihen më. (Vetë ai e ruajti qetësinë përballë sëmundjeve që e mundonin). Kështu  filozofi arrin atarasinë (mungesën e shqetësimeve) dhe jeton si mbret ndërmjet njerëzve. Ndryshe nga Aristoteli, që kishte si qëllim jetën teoretike (njohjen pa interes praktik të universit) Epikuri ishte i mendimit se ushtrimi i mençurisë do të kishte si qëllim drejtimin e një jete të qetë.

Për Epikurin qëllimi i jetës njerëzore nuk është pjesëmarrja në jetën publike. Ai ka një moto: jeto i fshehur. Kënaqësia e vërtetë arrihet vetëm në një komunitet miqsh  të mbledhur rreth një mësuesi ku zgjerojnë dijet, pra shkolla filozofike. Për të miqësia është një mirësi e madhe. Kurse drejtësinë e konsideron si kontratë në mes të njerëzve për të mos shkaktuar dhe mos të pësuar dëm(unë nuk dëmtoj të tjerët me kusht që të tjerët mos të më dëmtojnë mua).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.