Edhe Gjermania tërhiqet nga Nigeri
Ushtria gjermane do të mbyllë misionin në bazën e saj ajrore në Niger. Tërheqja do të përfundojë më 31 gusht pas prishjes së bisedimeve me juntën në pushtet të vendit Sahel, bëri të ditur Ministria gjermane e Mbrojtjes.
“Të gjithë ushtarët e Bundeswehr-it të vendosur në bazë do të tërhiqen deri më 31 gusht dhe bashkëpunimi ushtarak gjerman me Nigerin do t'i jepet fund”, saktësohet në deklaratën zyrtare.
Prishja e negociatave është një tjetër hallkë që thyhet në zinxhirin e marrëdhënieve të Nigerit me Perëndimin. Kthesa e Nigerit në marrëdhëniet diplomatike me vendet perëndimore nisi me grushtin e shtetit në korrik 2023 që rrëzoi Presidentin Mohamed Bazoum dhe solli në pushtet udhëheqjen aktuale ushtarake.
Që atëherë, Nigeri është orientuar drejt Rusisë dhe Iranit dhe është larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe ish-kolonizatori, Franca.
Një ndryshim i ngjashëm ka ndodhur në Mali dhe Burkina Fason fqinje, të cilat gjithashtu qeverisen nga udhëheqës ushtarakë dhe përballen me dhunën nga grupet ekstremiste.
Në fund të majit, Gjermania dhe Nigeri arritën një marrëveshje të përkohshme që lejon Bundeswehr-in të vazhdojë funksionimin e bazës së transportit ajror në kryeqytetin Niamey deri në fund të gushtit.
Por negociatat për të zgjatur atë marrëveshje u ndërprenë, veçanërisht sepse personeli i bazës nuk do të kishte më imunitet në rast ndjekjeje penale.
Në bazë, kohët e fundit kishin mbetur vetëm 38 ushtarë të Bundeswehr-it dhe 33 individë të tjerë, pjesë e stafit mbështetës.
Baza u përdor veçanërisht për operacionet për evakuimin e shtetasve gjermanë në Afrikë.

Add new comment