Kritika nga prof. Beci për “abetaren kombëtare”. Ministria e Arsimit shmang replikat si ato ndaj Artan Fugës...

Para disa ditësh bëri njëfarë buje një deklaratë e zv.ministrit të Arsimit, Arbër Mazniku, i cili replikonte ndaj kritikave të Artan Fugës për ligjin e ri për Arsimin e Lartë, duke u shprehur tekstualisht se “Artan Fugës i ka marrë koka erë”. Në një vend si Shqipëria, ku qasjet publike shpesh i përshtaten koniunkturës apo interesave, është e vështirë të dallosh se kush beson çfarë, qoftë edhe për thënie të tilla. Pra janë të paktë ata që do t’i tërhiqnin veshin zv.ministrit që kapardiset me deklarata të tilla. Nuk pati madje asnjë kundërvënie, përveç Fugës vetë. Mënyra e vetme që të pranohet se edhe qeveria e ka diku gabim është shumëfishimi sasior i kritikës, pse kështu krijojmë kushtet e një opinioni të përgjithshëm. Dhe në raport me Ministrinë e Arsimit, kritika radhës ia ka behur dje. Autor: prof.dr. Bahri Beci. Temë: Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit për tekstet shkollore. Ja një pasazh nga opinioni i Becit, publikuar në “Panorama”: “Lexova me interes udhëzimin e ministres së Arsimit për botimin (ose më saktë hartimin dhe miratimin) e teksteve të reja shkollore për vitin 2015-2016, po u befasova. E para, për ato që në udhëzim emërtohen si afatet kohore të zhvillimit të konkursit: Shpallja e konkurrimit: 20 prill 2015 Dorëzimit i teksteve shkollore: 18 qershor 2015. Shpallja e fituesve: 30 qershor 2015. Pra, vetëm dy muaj afat për hartimin e një teksti të ri shkollor. Njësoj si Ministria paraardhëse, kur hapi konkursin për tekstet para këtyre, po edhe kur hapi konkursin për abetaren e ashtuquajtur “kombëtare”. Duhet të jesh tepër naiv që të pranosh se brenda dy muajsh mund të hartohet një tekst i ri sipas standardesh të reja (është hera e parë që kërkohet që tekstet e reja të hartohen mbi bazën e standardeve) ose të mos jesh sa duhet i përgjegjshëm për misionin që ke marrë përsipër të kryesh. Pra, hartim tekstesh të reja mbi bazë standardesh e programesh të reja për 2 muaj, është mision i pamundur. E dyta...udhëzimi e ka përjashtuar hartimin e një teksti të ri për
Gjuhën shqipe në klasën e parë,.
-Me çfarë argumenti? – do të pyesni ju.
-Me “argumentin” se para një viti është konkurruar për të ashtuquajturën abetare “kombëtare”, do të mendoja unë. Abetarja e ashtuquajtur “kombëtare”, e aprovuar nga MASH-i i mëparshëm, në të vërtetë është një abetare e hartuar në vitet ‘90 mbi bazën e parimeve të viteve shtatëdhjetëtetëdhjetë dhe e modifikuar herë pas here….Po të kemi parasysh kriteret e hartimit dhe mënyrën shumë problematike të vlerësimit të saj (këtu pikëpyetjet janë të shumta) fetishizimi i kësaj abetareje përmes epitetit “kombëtare” (kupto të detyrueshme dhe të pakonkurrueshme) dhe hedhja në kosh e abetareve të tjera, përfshirë edhe abetaren që doli me një “pikë” diferencë nga abetarja “fituese”, e bën shumë shqetësues fetishizimin e saj dhe shpalljen si abetare “kombëtare”. Në asnjë vend të botës nuk quhet abetarja “kombëtare”, madje as edhe “abetare” për një arsye të thjeshtë se libri i Gjuhës së klasës së parë sot nuk konceptohet si një libër që u mëson fëmijëve vetëm alfabetin, po si një libër që i mëson ata të flasin, të lexojnë dhe të shkruajnë tekste”. Të vihet re këtu, se vërejtja e Becit na bën të kuptojmë se termi “kombëtare” shërben si fasadë. Prof. Beci referon edhe një problem ligjor: “E treta, pretendohet që ky udhëzim mbështetet në nenin 47 të ligjit 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” Ja neni 47 për tekstet shkollore :
1. Tekstet për nxënësit janë alternative. Ato përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle, në prani të prindërve, pas certifikimit nga ministria. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Numri i alternativave të teksteve shkollore për lëndë dhe klasë nuk kufizohet.
3. Tekstet për nxënësit sigurohen nga subjektet botuese, përmes një procesi konkurrimi të barabartë dhe transparent, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit….”. Emërtimi i një abetareje si “abetare kombëtare” jo vetëm nuk qëndron në vetvete, po bie në kundërshtim me nenin e mësipërm, sepse i jep një abetareje (cilado qoftë ajo) një status të veçantë në serinë e teksteve shkollore. E hyjnizon, e bën të detyrueshme, të pakonkurrueshme dhe për pasojë në kundërshtim me neni 47 që thotë se “Tekstet për nxënësit janë alternative…”, shkruan Beci. Pra procedura e ndjekur, ndonëse shpallet me terma “fisnikë” bie ndesh me ligjin. Të paktën kështu na e shërben ne si lexues prof. Beci, i cili na kujton edhe praktikën e sotme për librin e gjuhës për klasat e para. Dhe kjo praktikë është diçka më shumë sesa fasada e reformës. Është detyra e ministrisë të japë një sqarim, sa kohë Beci është një emër në lëmë të gjuhës. Shpresa mbetet që Ministria të mos e lëshojë veten në argumentet e Maznikut e të dalë të deklarojë se edhe “Becit i ka marrë koka erë”.
s.z
Comments
sa u shqeteson fjala
<p>sa u shqeteson fjala ''kombetare'' juve te sorrosit!</p><p>do te ishit te lumtur tju bente nga nje abetare,matoshi,lubonja dhe bollanua! bashke me saliun iku edhe antishqiptarizmi zoterinj!</p>
Add new comment