Ka patur një takim Qosja-Krasniqi? Nëse po, është një lajm bajagi i fortë

Postuar në 13 Janar, 2014 11:05

Para disa ditësh, gazeta kosovare online ‘Express’ raportoi mbi një takim që Rexhep Qosja ka patur në selinë e Institutit Albanologjik me hoxhën Shefqet Krasniqi (kush do që të dijë diçka lidhur me qëndrimet e këtij robi, le të futet në Youtube e le të bëjë një kërkim me emrin e tij). Ky i fundit ka qenë i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të vetët, dhe takimi është komentuar si një takim mes dy doktorësh. Në një njoftim për mediat është thënë se “Qosja u dëshiroi mirëseardhje [mysafirëve], dhe e vlerësoi lart punën e palodhshme të Shefqet Krasniqit si dhe kontributin e tij të çmueshëm për ngritjen e vlerave kombëtare e fetare të popullit tonë”.

Lajmi kish një natyrë disi spekulative (gazeta i referohej një njoftimi që ish publikuar në një portal pa emër), por ra në sy se nuk ka patur asnjë përgënjeshtrim nga ana e Qosjes. Nuk pati përgënjeshtrim të tij as pas një editoriali të hidhur të Express-it me titull “A duhet ta marrim seriozisht më Rexhep Qosjen?”, i cili u mor nga disa gazeta të Tiranës. I bie që Qosja ose s’e ka parë të udhës të merret me spekulatorë, ose s’ka gjetur arsye të përgënjeshtrojë një takim që, edhe pse është i sajuar, nuk e komprometon apo njollos atë, ose s’ka patur ç’të përgënjeshtrojë, ngaqë takimi ka ndodhur.

Nëse është kjo e fundit, nëse ka patur pra njimend një takim “të ngrohtë vëllazëror” mes Qosjes e Krasniqit, atëherë kemi të bëjmë me një moment të rëndësishëm në jetën e atij që këtejpari e kanë bërë zakon ta thërrasin me emrin ‘akademik’. Qosja nuk e ka fshehur idenë, madje ka argumentuar, se kombi shqiptar ka një identitet qartazi mysliman e lindor (e ka bërë bujshëm në debatin me Ismail Kadarenë), dhe në këtë pikë nuk është se e ka krejt gabim. Ish menduar, megjithatë, se në këtë mes kishim të bënim thjesht me një pretendim studimor e shkencor të tijin, dhe kaq. Mirëpo, fakti që ai ka vlerësuar lart punën e palodhshme të Shefqet Krasniqit (mos harroni të kërkoni për të në Youtube!) si dhe kontributin e tij të çmueshëm për ngritjen e vlerave kombëtare të popullit tonë, të bën të mendosh se, në studimet që ka bërë, ai ka folur mbi të gjitha për një identitet të tijin, e jo thjesht e vetëm të shqiptarëve.

Dhe është bash me këtë, që Qosja na ka kapur në befasi. Nuk e dinim. E nuk kish pse të mos e dinim, por për këtë është faji i Qosjes, e jo i yni.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.