Investimi i Kushner në Sazan, thellohet hetimi në Dhomën e Përfaqësuesve 

Postuar në 25 Gusht, 2026 20:04

Çështja e investimit të dhëndrit të Trump në Sazan është bërë subjekt hetimi i një prej anëtarëve të lartë të Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve. 

Jamie Raskin do ta thellojë hetimin e nisur, pasi ka hasur në indiferencën e dhëndrit të Trump për t’iu përgjigjur pyetjeve të para lidhur me investimin përmes firmës së tij të investimit, Affinity Partners. 

Hetimi vë në qendër konfliktin e interesit mes rolit të Kushner në qeverinë amerikane dhe pozicionit si investitor. 

Në një letër të dytë drejtuar Kushner, Raskin i kujton atij detyrimin për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe e vë në dijeni për hetimin e praktikave të dyshimta të pasurive të patundshme. 

Hetimi ka nisur nga raportimet që flasin për blerjen e tokës për 120 milionë dollarë, pas një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare, e cila i ka bërë Kushnerit lëshime të jashtëzakonshme. Po ashtu, dyshimet rreth projektit lidhen edhe me hipotezën se Kushner e ka ditur se personi që po e shiste tokën nuk ishte në të vërtetë pronari i saj. 

Pjesë të letrës janë botuar në një shkrim në faqen e Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilin Respublica e sjell të plotë më poshtë.

* * *

Jamie Raskin, anëtar i Lartë i Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, e zgjeroi hetimin e tij mbi konfliktin flagrant të interesit dhe marrëveshjet korruptive të biznesit të Jared Kushner. Hetimi nisi pasi Kushner nuk iu përgjigj kërkesës së mëparshme të Komitetit për disa të dhëna që lidhen me punën si zyrtar i politikës së jashtme të SHBA-së dhe investitor privat i financuar nga qeveri të huaja. 

Hetimi pasoi raportimet se Kushner i pagoi më shumë se 120 milionë dollarë për tokë të kontestuar një gangsteri shqiptar dhe trafikant të dyshuar droge, pavarësisht se ishte paralajmëruar se personi që po bënte shitjen nuk e zotëronte pronën, pasi Kushner synonte një projekt turistik luksoz duke përfituar nga lëshime të jashtëzakonshme që i janë bërë nga qeveria shqiptare. 

Mund të keni qenë shumë i zënë me fiaskon e re të politikës së jashtme në Shqipëri pas udhëtimit tuaj me jaht në Adriatik, për t’iu përgjigjur disa pyetjeve që kemi në lidhje me konfliktet tuaja të interesit që po ndodhin këtu në Amerikë. Pra, në rast se e keni harruar ekzistencën e një hetimi të Kongresit mbi konfliktet tuaja të interesit dhe praktikat korruptive të biznesit, po ju shkruaj për t'ju kujtuar detyrimin tuaj për t'iu përgjigjur pyetjeve dhe gjithashtu për t'ju njoftuar se ne e kemi zgjeruar hetimin tonë për të përfshirë praktikat tuaja të dyshimta të pasurive të patundshme”, shkruan Raskin.

Në prill, Raskin nisi një hetim mbi rolin e dyfishtë të Kushner si negociator i politikës së jashtme të SHBA-së dhe drejtues i Affinity Partners, një firmë investimi e financuar kryesisht nga qeveri të huaja dhe shtetasi të huaj. Kushner e injoroi letrën e Komitetit dhe të njëjtën gjë bëri edhe Affinity Partners.

Të dhënat e reja që dalin në lidhje me planin për resortin luksoz të Kushner në Shqipëri tani po ngrenë pyetje shtesë nëse ai e ka shfrytëzuar afërsinë e tij me Presidentin Trump dhe rolin e tij de facto në qeveri për të çuar përpara interesat private të biznesit jashtë vendit. Qeveria shqiptare e miratoi planin luksoz të zhvillimit pranë ishullit të mbrojtur të Sazanit, ndërsa duhet të kujtojmë se kabineti i Kryeministrit Edi Rama është përpjekur të kultivojë ndikim në politikën amerikane dhe tek Administrata Trump.

Projekti që atëherë ka shkaktuar protesta masive dhe janë ngritur akuza për mashtrim me tokën. Prokurorët shqiptarë kanë ngrirë asetet që lidhen me blerjen e tokës nga Kushner, mes akuzave se shitësi Artur Shehu nuk e zotëronte në të vërtetë pronën. Sipas një raportimi të fundit në Wall Street Journal, Shehu dyshohet se është trafikant droge, me precedentë të falsifikimit të dokumenteve të pronës. Kushner raportohet se vijoi me transaksionin edhe pasi banorët vendas e paralajmëruan se pretendimi i Shehut për pronësi ishte i rremë dhe i pagoi Shehut më shumë se 120 milionë dollarë për tokën e kontestuar.

Marrëdhëniet e Kushnerit me Shqipërinë u shtohen shqetësimeve të hershme mbi përzierjen që ai i ka bërë pushtetit publik dhe fitimit privat. Që kur u kthye si një lojtar qendror në politikën e jashtme të SHBA-së nën Trump, Kushner ka vijuar të mbajë drejtimin e Affinity Partners dhe të tërheqë investime të huaja, ndërsa merr pjesë në negociata të ndjeshme që përfshijnë Iranin, Libanin dhe Ukrainën.

Ky episod pasqyron si mendjelehtësinë tuaj thelbësore si një përfaqësues i dikurshëm i Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe oreksin mbizotërues dhe në dukje të pangopur të familjes Trump-Kushner për t'u angazhuar në korrupsion politik dhe financiar. Ndërsa veproni si kryenegociatori i kombit tonë për t'i dhënë fund disa konflikteve ndërkombëtare të krijuara ose të përkeqësuara nga administrata e vjehrrit tuaj, ju keni marrë kohë për të shkaktuar tërësisht vetë një tjetër incident ndërkombëtar të lidhur me mashtrimin”, shkroi Raskin.

Raskin po përsërit të gjitha kërkesat që nuk kanë marrë përgjigje nga hetimi i tij i prillit dhe kërkon të dhëna të reja në lidhje me marrëveshjet e Kushnerit me Shqipërinë, duke përfshirë komunikimet me zyrtarët e qeverisë shqiptare dhe amerikane dhe të dhënat në lidhje me blerjen, financimin dhe miratimin nga ana e qeverisë për projektet e tij të pasurive të paluajtshme. Hetimi i zgjeruar do të shqyrtojë nëse sjellja e Kushnerit meriton të shqyrtohet sipas Aktit të Praktikave të Huaja Korruptive dhe nëse reformat legjislative janë të nevojshme për të forcuar ligjet federale për ryshfetin, konfliktet e interesit dhe agjentët e huaj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.