Tenderokraci – thotë Kim Mehmeti për 2012-n e Maqedonisë

Kim Mehmeti ka bërë një analizë të 2012-s për Maqedoninë në TCH dhe ndër të tjera thotë: “Viti 2012, ashtu si dhe shumë vite të mëparshme, mbeti i ngulfatur nga ambiciet e kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, që ta pyllëzojë Maqedoninë me sa më shumë përmendore dhe ta rindërtojë nga e para historinë e popullit maqedonas. Ky vit, gjithsesi, do të ketë shenjë njohëse edhe pamundësinë e partive shqiptare që t’i kundërvihen kësaj politike anti-perëndimore të Nikolla Gruevskit. Vitin 2012, Maqedonisë ia hëngrën premtimet e kota të partive shqiptare se do të jetë shumë më mirë kur të shkojmë në NATO dhe BE, nga ana tjetër pamë se këtu ndërtohet vetëm një tenderokraci, ku politikanët marrin gjithçka për vete, ndërsa popullit i mbeten vetëm premtimet e kota”.
Mehmeti shfaqet skeptik se në vitin 2013 do të ndryshojnë gjërat. Thotë Mehmeti: “Mendoj se viti 2013 duhet të ketë shenjë njohëse atë, që shumë politikanë shqiptarë të Maqedonisë duhet të ndalin zullumin, që po i bëjnë popullit të vet, dhe nëse ndodh kjo do të mund të shpresojmë për diçka më të mirë për shqiptarët këtu. Nëse nuk ndodh kjo, mendoj se edhe viti 2013 do të jetë një vit i humbur për shqiptarët, të cilët do të fajësojnë për shumë gjëra politikanët, mirëpo më në fund ndoshta duhet të kuptojmë se për diçka duhet të fajësojmë edhe vetveten, pasi ata politikanë i kemi votuar ne dhe nuk na i ka sjellë ndonjëri nga jashtë”. Re.Pu.
Add new comment