"Po pse, sa mund të kursejë në vit nga rroga një zyrtar i lartë? - përgjigjet Rama për '3 mijë eurot' (MAPO)

E përditshmja MAPO ka si kryeartikull të ditës së sotme, intervistën e djeshme të Edi Ramës në Twitter me pyetje të drejtpërdrejta nga qytetarët. Pyetje-përgjigjet në fjalë janë pasqyruar sot në thuajse gjithë shtypin e ditës, por secila nga gazetat ka marrë pjesë të ndryshme të saj dhe ka vendosur tituj të ndryshëm. Fokusi i pyetje-përgjigjeve ka qenë i gjerë. Kreu i opozitës ka qenë dje për rreth 3 orë live dhe ka komunikuar me rreth 250 qytetarë.
MAPO ka vecuar pjesën e përgjigjeve mbi pasurinë dhe ka dalë sot në kryetitullin e faqes së parë me: "Rama: Pasuria ime nuk është 3 mijë euro, po ndërtoj një shtëpi të re". Titulli është nxjerrë nga përgjigja e Ramës për pyetjen e një qytetari që i ka shkruar: "A është e vërtetë që pasuria juaj është 3 mijë euro?". Përgjigja e Ramës: "Eshtë spekuluar turpshëm me një deklaratë kursimesh. Po pse, sa mund të kursejë në vit nga rroga një zyrtar i lartë? Në djall, kush nuk beson".
Në hapësirën kushtuar analizave, në MAPO-n e sotme mund të lexohen: "Debati për ZAZ, paralajmërimi i një ngërci" shkruar nga Roland Lami dhe "Kosta Bajraba, njeri i ri i tranzicionit" nga Alfred Lela (A.N.)
Add new comment