Diskutimet për buxhetin, raportohen detyrime të trashëguara nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Jashtme

Raportimet e ministrave të ndryshëm në komisionet parlamentare rreth buxhetit po nxjerrin disa probleme jo të vogla. Kështu ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, duke raportuar në Komisionin e Sigurisë ka deklaruar rishikimin e fondit të pensioneve për ushtarakët si dhe rishikimin e fondit të pagave. “Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 14 miliardë lekë. Ky buxhet përmirëson raportin mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Do të ulim shpenzimet për fondin e pagave. Forcat e armatosura do të vazhdojnë të reduktohen edhe më tej. Nga 10 mijë do të shkojnë në 9 500 forca”, tha ajo. Kodheli ka folur edhe për borxhe të trashëguara nga vitit 2008, të cilat janë kryesisht detyrime për ujë, drita dhe telefon. “Kemi borxhe të trashëguara që nga viti 2008. Borxhet tek Ministria e Mbrojtjes janë në shumën e 1.5 miliardë lekëve. Borxhet janë fatura ujë, drita, telefon dhe shërbime të tjera të papaguara. Në 2014 do t’i japim rëndësi trajnimeve dhe uniformave”, tha ajo. Ndërkohë për detyrime dhe borxhe të prapambetura ka folur edhe ministri i Jashtëm, Ditimir Bushati në Komisionin e Jashtëm. Sipas tij dy nga përfaqësitë diplomatike shqiptare jashtë nuk kanë paguar detyrimet.
s.z
Add new comment