PD-ja kërkon rikthimin në punë të të larguarve nga administrata. Kaso: “Përndryshe do të veprojë gjykata”

Partia Demokratike ka kërkuar sot zyrtarisht që të gjithë ata nëpunës të cilët janë larguar nga puna si pasojë e zbatimit të Aktit Normativ përkatës të rikthehen në pozicionet e tyre. Kjo pasi, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka rrëzuar aktin në fjalë, duke zhveshur kështu çdo mundësi veprimi të tij. “Vendimi i Kushtetueses vërtetoi pretendimet tona, që akti nomativ për nëpunësin civil ishte antikushtetues. Ata që kanë statusin e nëpunësit civil gëzojnë të gjithë mbrojtjen ligjore. Të gjithë ata që janë larguar padrejtësisht nga administrata, pas 1 tetorit duhet të rikthehen në detyrë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese zhbën veprimet e paligjshme të administratës të kryera që nga data 1 tetor. Administrata të marrë masa për rikthimin e punonjësve që janë larguar padrejtësisht nga puna. Nëse administrata nuk e bën këtë, atëherë është gjykata që me anë të vendimeve do ta detyrojë administratën që ti kthejë në punë punonjësit e pushuar padrejtësisht” tha përfaqësuesi ligjor i PD-së Ivi Kaso. Kjo çështje rrezikon të krijojë kosto për qeverinë, pasi nga njëra anë gjykata detyron rikthimin në punë të nëpunësve të larguar, nga ana tjetër qeveria ka hapur konkurs online për aplikime. Për të mos sjellë në vëmendje edhe një pakënaqësi të dukshme që ka nga një pjesë e bazës socialiste për sa përket punësimit në administratë. Është padyshim një fitore e PD-së, ndonëse prekja e administratës sa vjen dhe bëhet më e pamundur. Kjo falë një lloj stabilizimi relativ të saj, por edhe ngritjes në plan politik të problemit.
s.z
Add new comment