Arvizu takohet me Idrizin; por ky takim krijon shumë diskutime e shqetësim në kampin opozitar

Postuar në 11 Shkurt, 2014 04:23

Ka krijuar shqetësim e diskutim në qarqet politike e mediatike një takim i ambasadorit amerikan Arvizu me drejtues të PDIU-së. Takimi është bërë në selinë e kësaj të fundit, dhe Idrizi ishte i shoqëruar nga tre deputetë të tjerë të vetët. Duhet të ketë tërhequr vëmendjen një deklaratë e ambasadorit, më saktë ajo pjesë e deklaratës, ku thotë se “në mënyrë domethënëse zoti Idrizi më ripohoi se PDIU do të vazhdojë të nxisë të gjitha partitë politike në Parlament të luajnë një rol konstruktiv; ata janë partia e dytë parlamentare sa i përket koalicionit opozitar dhe në demokraci parlamentare opozita ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në mënyrë që ta mbajë qeverinë në llogaridhënie kundrejt qytetarëve; gjithashtu, është e rëndësishme që opozita të jetë e gatshme të angazhohet në mënyrë që ta përmbush këtë rol”. Ky qëndrim është lexuar nga njerëz e gazetarë opozitarë si një inkurajim i Arvizu-së për krijimin e një opozitë paralele, apo alternative; ose si inkurajim i PDIU-së për t’u hedhur në krahun tjetër (shihni shkrimin e Alfred Lelës në Mapon e sotme).

Por ka qenë dhe qëndrimi i Idrizit që e ka rritur shqetësimin. Shqipi raporton se “për reformën e shumë diskutuar në vend, Idrizi për mediat theksoi se PD nuk mund të vepronte si PS kur ishte në opozitë, duke vënë në dukje rëndësinë e madhe të kësaj reforme”. Ndërsa kreu i PDIU-së citohet të ketë thënë: “PDIU e vlerëson jashtëzakonisht nevojën e një reforme administrative. PDIU është e gatshme dhe ka objektivat, qëllimet dhe interesat e saj. Jemi të interesuar për ndarjen administrative në jug, për sa u përket zonave ku ka një komunitet çam. Opozita nuk mund të jetë fasadë në një reformë kaq të rëndësishme. Ka hapësirë që PD dhe PS të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe konsensusin për reformën. Nuk duhet të kopjojmë PS, që nuk kalonte tre ligjet për shkak të Fierit. PDIU do të vazhdojë të jetë katalizator, në mënyrë që palët të ulen në tryezë për reformën territoriale edhe për ligjin për Nëpunësin Civil, me bindjen e thellë që klasa politike shqiptare ka qenë e aftë për të prodhuar kriza, por duhet të jetë shumë aftë që t’i absorbojë ato dhe të bashkohet në reformat e përbashkëta.” Dhe në fund, Idrizi ka shtuar: “Jam shumë i lumtur që gjetëm me zotin ambasador një konvergim shumë të mirë”.

 

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.