Thaçi-Daçic plus Ashton, propozohen për Nobelin e Paqes nga kongresmenë amerikanë

Postuar në 24 Dhjetor, 2013 03:19

Në fillim  përfol në media, por lajmi nuk vinte nga ndonjë adresë e veçantë. Por mësohet se Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, janë propozuar formalisht nga një grup ligjvënësish amerikanë për çmimin Nobel të Paqes për vitin 2014. Në njoftimin e përbashkët të ligjvënësve Eliot Engel dhe Robert Aderholt, si bashkëkryetarë të grupit të çështjeve shqiptare në Kongres dhe ligjvënësve Ted Poe dhe Emanuel Cleaver, bashkëkryetarë të grupit të çështjeve serbe, thuhet se tre zyrtarët duhen nderuar me çmimin Nobel për rolin e tyre kritik për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, thotë Radio Europa e Lirë. Marrëveshja e prillit e këtij viti, mes dy kryeministrave, siç citon Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe letrën e kongresistëve amerikane, shënon një pikë-kthese dramatike për Serbinë dhe Kosovën dhe për gjithë rajonin e trazuar të Ballkanit. Që nga tetori i vitit 2012, deri në fund të këtij viti, dy kryeministrat janë takuar rreth 20 herë me ndërmjetësimin e zyrtares së lartë të BE-së, duke arritur pajtimin për çështje delikate mes të dy vendeve. Çështja e fundit për të cilën ata po përpiqen të arrijnë një kompromis është ajo për sistemin gjyqësor në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Propozime për çmimin Nobel mund të bëhen nga çdo individ ose organizatë e pranueshme për komitetin Nobel, ku përfshihen edhe ligjvënësit.

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.