Shqipëria është gdhirë nën ujë, ndërkohë që shirat nuk dinë të ndalen

Të përditshmet e Tiranës informojnë në numrat e sotëm mbi përmbytjet, që janë verifikuar pas shirave të rrëmbyeshëm në shumë zona të vendit, madje edhe në zona që nuk kanë pasur më parë probleme të kësaj natyre. Shkodra vijon të mbetet viktima më e parë, ku janë përmbytur toka në zonën Bahçallek, Ajasëm, në Lagjen Mark Lulaj, Pedonale, në Komunën Ana Malit, në fshatin Obot, në fshatin Gorricë, në fshatin Muriqan, në Komunën Guri i Zi, në fshatin Rrenc, në fshatin Kasape, në Komunën Berdicë, etj.
Në hartën e përmbytjeve është shtuar Gjirokastra, ku janë vënë re vidhisje e rrëshqitje dheu, e rrjedhimisht bllokime rrugësh. Ka dalë nga shtrati dhe lumi Vjosë në zonën e Novoselës, duke shkaktuar panik te banorët, ndërsa probleme ka pasur edhe në qytetin e Vlorës, ku ashtu si edhe herë të tjera, si pasojë e reshjeve të shiut janë përmbytur rrugët kryesore apo në brendësi të lagjeve. Porti i këtij qyteti është i bllokuar.
Nga shtrati kanë dalë dhe lumenjtë Devoll e Erzen, duke e shtrirë kështu gjeografinë e panikut. Ndërsa shirat vijojnë pa ndërprerje.
Re.Pu.
Add new comment