PD-ja shpall “lirimin” e anëtarit të LSI-së në KQZ, dhe vetë LSI-ja përuron stinën opozitare

Pasi u fol për disa ditë me radhë nga njerëz të maxhorancës për një zhbalancim të KQZ-së në favor të opozitës pas paktit Rama-Meta, Komisioni i Ligjeve i Kuvendit të Shqipërisë ka marrë sot, krejt papritur, vendimin për të liruar anëtarin e LSI-së nga KQZ-ja. I menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë reagimi i njerëzve të Metës, dhe me këtë akt mund të thuhet se shenjohet kalimi de facto i LSI-së në opozitë.
Nasip Naço, deputet, pasi është shprehur për televizionin Neës 24 se “LSI është treguar dinjitoze në koalicionin me PD-në dhe ka respektuar gjithmonë ligjin, ndryshe nga kjo e fundit, që nuk po e bën këtë gjë”, ka vijuar:
“Qysh nga momenti që thoni ‘lirimi’, [merret vesh se] është diçka e paligjshme, pasi në nenin 14 thuhet ‘emërimi’ dhe në nenin 18 thuhet ‘shkarkimi’. Veprimi është i paligjshëm. Zëvendësimi bëhet vetëm në bazë të ligjit, kur një anëtar jep dorëheqjen, kur merret me aktivitet politik apo kur nuk vete më shumë se dy herë në KQZ”.
Në fund, Naço e mbylli me një deklaratë, që për vite të tëra ka dalë nga gojë socialistësh: “Zgjedhjet kanë filluar të rrezikohen, pasi kanë filluar hapat për manipulim”.
Re.Pu.
Add new comment