Ndërtimet pa leje kanë “mbytur” dhe zonat e mbrojtura

Në të gjithë vendin janë konstatuar rreth 500 objekte pa leje të ngritura në zonat e mbrojtura të cilat priten që të shemben nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, thekson se ashtu siç do ndërhyhet shumë shpejtë në Llogara, do të veprohet për të gjithë zonat e mbrojtura në mbarë vendin. “Ka ardhur koha të mos jemi më tolerant ndaj paligjshmërisë por të jemi zbatues të përpiktë të ligjit dhe duhet t’i kthejmë zonave të mbrojtura bukurinë që ka dhuruar natyra shqiptare”, shprehet ai për gazetën “Shekulli”. Një nga problemet më shqetësuese deri tani ka qenë gërryerja e lumenjve dhe shfrytëzimi i inerteve. Për këtë Koka thotë se, janë kryer inspektime në të 6 basenet e vendit. Konkretisht në dy basene: Ishëm - Erzen dhe Mat janë pezulluar dhe gjobitur 84 subjekte. Është planifikuar që në tremujorin e dytë do të kryhet një aksion i rreptë nga Inspektorati Mjedisit dhe INUK për sekuestrimin e mjeteve të shfrytëzimit nga këto subjekte. S.S
Add new comment