Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi jep një intervistë “të hatashme” në KTV dhe akuzon policinë e vet se i sajon skandale

Postuar në 10 Shkurt, 2014 16:03

Ministri i Punëve të Brendshme të qeverisë së Kosovës, Bajram Rexhepi, ka qenë sot i ftuar në emisionin “Puls” të drejtuar nga Mefail Bajqinovci në KTV, për të folur mbi skandalet që gëlojnë në këtë ministri, e për të cilat edhe deputetë të partisë së vet PDK i kanë bërë thirrje të japë dorëheqjen. Padyshim afera më pikante është ajo e pasaportave (në ndryshim nga afera shqiptare, kjo e Kosovës bëri shumë zhurmë), por edhe çështje të tjera morën një përgjigje nga Rexhepi. Shumica e përgjigjeve, ishin për të vënë duart në kokë.

Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, proces për të cilin vet ministri pati deklaruar se do të përfundojë në vitin 2014, por sipas eurodeputetes Ulrike Lunaçek ky proces duhet të harrohet edhe për dy vjet. “Mendoj se Lunaçek ka diçka personale me Kryeministrin nga e kaluara, andaj nuk po hyj më shumë”, ka thënë Rexhepi.
Në pyetjen e moderatorit në lidhje me skandalin e targave, pasaportave, skandalin për riatdhesim, skandalet me hotele, e shumë të tjera, ministri tha se ai nuk është i përfshirë direkt në këto skandale, ndërsa tha se njerëzit e dyshimtë janë duke u hetuar. 
Lidhur me skandale të tjera në ministri, Rexhepi tha se nuk mund të heqë njerëz nga puna, sepse “s’mund të heqim koka, nuk mund të largosh zyrtarët e prokurimit se po i kthen Këshilli i Pavarur për Shërbimin Civil. I kthen edhe hajnat, veç mos vrit njerëz, se të tjerët i kthen, bëj çka të duash, ky këshill kështu ka vepruar”, ka deklaruar Ministri i Brendshëm.
Sa për çështjen e automjetit të tij, “Range Rover”, të cilin drejtuesi i emisionit e ka quajtur “të vjedhur” dhe për të cilin, siç tha drejtuesi i emisionit, “flitet se ta ka dhuruar një mafioz, Rexhepi tha: “E kam blerë dhe është dokumentuar, ka ardhur nga Amerika, unë e kam blerë si njeriu i tretë në Kosovë. Policia e Kosovës ma ka krijuar aferën e këtij automjeti. Sonte po e bëj publike për herë të parë në këtë studio se Departamenti i Autokrimeve ma ka krijuar këtë aferë. Unë kam bërë ndërrime në polici të Kosovës, kam bërë reforma dhe këta më janë hakmarrë duke më krijuar afera për automjet”, ka deklaruar ministri Rexhepi.
 

Gjeni më shumë në linkun: http://www.koha.net/?page=1,13,174633

 

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.