Mbyllet seanca plenare. Kryeministri jep vlerësimin: “Injorancë e madhe. Të vjen keq edhe për gomarin”. Për qeverinë? IPR Marketing: “Mendim pozitiv, por puna e kryeministrit nën pritmëritë e shqiptarëve”

Postuar në 30 Janar, 2014 15:49

Seanca parlamentare ka përfunduar me disa vendime që kanë rëndësinë e tyre. Kështu Parlamenti rrëzoi dekretet e Presidentit të Republikës për dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, ndonëse dy anëtarë të mazhorancës, Spartak Braho dhe Monika Kryemadhi kanë abstenuar për kandidatin Petrit Çeno; është zhvilluar interpelanca për devijimin e lumit Radika, është miratuar traktati për tregtinë e armëve. Ndërkohë kreu i Kuvendit Ilir Meta ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe zhvillim konsensual të reformave. Gjithsesi pas bataresë verbale të z. Berisha paradite, simetria u plotësua pasdite me një fjalë të kryeministrit Edi Rama. Përveçse ka vlerësuar aksionin e policisë dhe luftën ndaj krimit ai ka bërë edhe një vlerësim për parlamentin dhe seancën. “Dëshiroja shumë që opozita të na vinte në pozitë të vështirë si qeveri, por kjo opozitë na vë të gjithëve në pozitë si njerëz të këtij vendi, jo vetëm ne këtu, por edhe çdo shqiptar të arsyeshëm që ka durimin t’i ndjekë seancat si kjo e sotme, ku të mbyt mjerimi mendor, ku fjalët rrjedhin si llumë mendjesh të mobilizuara për të prodhuar sasi më të madhe të mundshme të gomarllëkut për minutë, ku, madje, këtu të vjen keq për gomarin që ta krahasosh me njeriun, sepse gomari mbajti në kurriz profetin, kurse këta kurrizin e mbajnë samar për Saliun.”, ka thënë Rama. E meqenëse jemi te vlerësimet edhe IPR Marketing ka dhënë rezultatet e veta në studion e Ilva Tares. Ja disa rezultate: “Edi Rama është personazhi që shqiptarët i besojnë më shumë me 48,1% përgjigje pozitive. Më pas vijnë Kryetari i parlamentit, Ilir Meta me 44,9%,  Presidenti i Republikës me 37,8%.  Lulzim Basha duket se e ka mundur më në fund ish kreun e PD, Sali Berishën, të paktën përsa i përket besimit të shqiptarëve. Basha ka marrë përgjigje pozitive nga 33,4% ndërsa Berisha 31,3%. Për punën e qeverisë Rama deri në këto muaj?  Kanë gjykim shumë pozitiv 11,7% e shqiptarëve. Mendim pozitiv,  45,2%. Negativ kanë qenë 23,1% e qytetarëve ndërsa shumë negativ janë 12,2%. Ndërsa puna e qeverisë del se krijon një mendim pozitiv, pritshmëritë e shqiptarëve për punën e Edi Ramës në këto muaj janë negative. Për 47,6% të shqiptarëve puna e kryeministrit është nën pritshmërinë e tyre.  Për 15,8% është mbi pritshmëritë e tyre dhe 28% të tjerë mendojnë se është e njëjta punë si pritshmëria e tyre. Lidhur me refuzimin e importit të armëve kimike, shqiptarët mendojnë se ishte vendim pozitiv në një masë prej 67,9% dhe ata që mendojnë negativisht janë 25,9%”.

s.z

Comments

Submitted by Leonardo (not verified) on

<p>Jeni në vete apo jo për atë kokëmadhin e Skraparit i jepni 45% &nbsp;dhe për Lulëziun 33% e qënkemi shumë mjeranë</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.