Lojë politike me “lojërat e UDB-së”?! Gazeta “Express” publikon një letër të Jusuf Gërvallës për Enver Hoxhën dhe deklaratën e një bashkëpunëtori të SHISH-it

Postuar në 30 Janar, 2014 12:56

Gazeta “Express” në Kosovë ka publikuar sot dy materiale të cilat ndonëse në pamje të parë nuk lidhen me njëra-tjetrën, gjithsesi kanë një fill që i bashkon, sidomos në kontekstin e debatit të fundit për penetrimet e agjentëve serbë në Kosovë, rolin e UDB-së atje dhe pse-në e vrasjes së Jusuf Gërvallës. Për këtë të fundit, publicisti Jusuf Buxhovi deklaronte pak ditë më parë se me gjasë ai është vrarë edhe nga rivalitete mes shqiptarësh në Gjermani për shkaqe ideologjike, ndërkohë që e bija, Donika Gërvalla akuzoi se atë e vrau UDB-ja me dijeninë e disa njerëzve në Kosovë, disa prej të cilëve jkanë aktualisht në qeveri. Sot “Express” publikon një letër të Gërvallës, dërguar Enver Hoxhës në vitin 1982, ku del qartë se Gërvalla ishte i rreshtuar ideologjikisht me vijën e PPSH-së. Ja një pjesë e letrës:

Skena e dramës së sotme shqiptare është po ajo e Prometheut të pesëqind vjetëve. Bota e krishtër është ajo që pat nisur luftën kundër kuçedrës anadollake. Dhe sa u duk që ajo botë po i gëzohej titanit Skënderbe, që po i qonte në vend tek e fundit edhe interesat e Europës. U prapsën një pas një fuqitë e kohës. Kishte një cikërrimë që nuk durohej në personin e Gjergjit dhe të popullit shqiptar: seriozitetin dhe këmbënguljen mbinjerëzore, që çështjen e shtrenjtë të lirisë e bënte të kuptohej në gjithë njëmendësinë e saj. Kështu u zbrapsën dalëngadalë edhe forcat që kishin hyrë në përpara Shqipërisë së “vogël” në lojën e madhe të dramës komuniste. Shqipëria e “vogël”, me seriozitetin dhe njëmendësinë e saj atyre ua nxori gjithë merakun në kushte të një temperature të lartë të “lojës” së nisur prej tyre. Marrëveshjet paqësore dhe krushqitë e Venedikut, Raguzës, Serbisë me kuçedrën anadollake, në një kohë që Shqipëria po e lante në gjak çdo pëllëmbtë të tokave të veta, nuk ndryshojnë aspak nga tradhtia sovjetike, jugosllave, kineze...që ia kthyen shpinën m-l, duke mos qenë të gatshëm t’i bëjnë ballë frymëzimit të lartë dhe duke mos parapëlqyer rrugën e rezistencës së ulët ndaj armikut të egër të epokës, imperializmit dhe kapitalizmit. Ne ndjekim me indinjatë bllokadën e egër ndaj Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, që nisi imperializmi, për ta vazhduar revizionistët tradhtarë. Por zemra na bëhet mal kur shohim që atdheu ynë marshon sypatrembur, duke çarë një pas një rrethimet dhe bllokadat mizore dhe duke ndjekur me frymëzim dhe besnikëri të pashembullt rrugën e sigurt të socializmit, që është e ardhmja e afërt e të gjithë njerëzimit”. Në mënyrë të qartë Gërvalla ishte në lidhje me shtetin shqiptar, madje inspirohej nga vija ideologjike e kohës. Nëse do të kthehemi mbas në kohë, akuzat ideologjike asokohe peshonin më shumë sesa ato për nacionalizëm, ndonëse Gërvalla pak më poshtë shkruan se “Larg ndjenjës revanshiste, nacionaliste e shoviniste, te ne është ndezur shkëndija e luftës së pashmangshme nacionalçlirimtare, konturat e së cilës por duken në horizont”. (http://gazetaexpress.com/?cid=1,15,133178). Nëse lidhim aktivitetin e Gërvallës me atë që më pas u kristalizua si UÇK, mund të nxirret një konkluzion i përciptë për këtë marrëdhënie që u planifikua siç duket të ecte me dy shina: të sendërgjonte një projekt me karakter nacionalist, por duke e parë atë si moment fillestar, si lëvizje mobilizuese për të kaluar mandej në linjën ideologjike të afërt me Tiranën e asaj kohe.

Materiali i dytë, është një deklaratë, siç e quan “Express”, e një personi që quhet Aleksandër Pirro, i deklaruar si ish-bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë, i cili është rrekur “të sqarojë opinionin mbi çështjen e spiunazhit serb në Kosovë”. Teksa flet për praktikat e shërbimeve inteligjente, Pirro e mbyll në fund: “...këta zotërinjë, ish-agjentë të Jugo-Serbisë do të ishte mirë t’ju thuhet që të mos e eksploatojnë këtë situatë të veçantë dhe të përpiqen të arsyetojnë vetëvetën dhe madje të kërkojnë rehabilitim. Mosndëshkimi i tyre është pasojë e rrethanave dhe jo shpërblim për punën e tyre. Le t’i gëzohen këtij fati dhe të kërkojnë falje e jo të organizojnë kundër-ofensivë. Ata kanë qenë në shërbim të një aparati represiv që dajakun e ka pasë adutin kryesor dhe ne të tjerët që kemi shërbyer në anën tjetër të kufirit ideologjik nuk kemi aspak respekt për ta, por i mbetemi konsekuent maksimës tonë: trim përballë të fortit dhe i mëshirshëm ndaj të dobëtit. Kështu e fituam luftën”. Ndonëse vetëzbulohet në këtë pozicion, është disi e pakapshme perspektiva me të cilën ky bashkëpunëtor ndërhyn në këtë debat. E sigurt është se dalja dhe qarkullimi i emrave, dhënia e shifrave dhe krijimi i idesë se shërbimi serb ka një rol të vërtetë, ka turbulluar ujëra në Kosovë. Edhe çështja “Gërvalla”, e cila mund të jetë duke u hetuar në Gjermani, mund të ketë shqetësuar shumëkënd, përderisa së fundmi akuzat nuk po mungojnë të përfundojnë në emra konkretë. (http://gazetaexpress.com/?cid=1,15,133183)

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.