Kosova e luftëtarëve të zhgënjyer e të traumatizuar. “Liderët jetojnë në vila e ne vdesim urie”, thotë njëri syresh

Postuar në 06 Janar, 2014 13:48

Në çdo vend, zhgënjimet dhe vuajtja e bijve të luftës a të revolucionit janë një temë e pashmangshme: Është konflikti i përhershëm mes atyre që bëjnë luftën në terren dhe atyre që korrin frytet. Në Kosovë ky element ka marrë nota dramatike e shpesh tragjike, për shkak edhe të një vend të varfër që u gdhi edhe i shkatërruar nga lufta. Siç njoftojnë sot mediat pas një raportimi të shtypit të Prishtinës, 45 vetë, ish luftëtarë të UÇK-së, kanë vrarë veten në pamundësi për t’u siguruar familjeve një mbijetesë minimale, mbivendosur kjo traumave të luftës. Por edhe ata që janë gjallë nuk e fshehin revoltën dhe pakënaqësinë, siç njofton Koha ditore. Ish-luftëtari i UÇK-së, Selman Avdiu, nga fshati Abri e poshtme e Skenderajt, ka protestuar para Qeverisë së Kosovës bashkë me gruan dhe 4 fëmijët e tij duke kërkuar që Qeveria t’i gjejë zgjidhje për një shtëpi. Ai jeton me qera që prej kohës së luftës kur banesa i është djegur. “Pas luftës do ta bëjmë të re”, nuk ka funksionuar në rastin e tij. Dhe Avdiu është i qartë: Do të protestojë vazhdimisht nëse Qeveria nuk i bën zgjidhje që atij t’i sigurojë kulm mbi kokë. “Kam pritur mjaft, ka 14 vjet që po pres, por nuk po marr ndihmë nga askush. Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe duhet të mendojnë për popullin sepse morën votën tonë. Këta jetojnë nëpër vila luksoze derisa ne vdesim urie dhe pa kulm mbi kokë”, thotë Avdiu.
 

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.