Ilir Yzeiri: Politikanët shqiptarë, aktorë të këqinj, luan të njëjtën dramë prej 21 vitesh

Një shkrim të tijin me titull “Beu ynë dhe Baba Dovleti”, të publikuar në Shqipin e sotëm, Ilir Yzeiri e hap kështu: “Mendoni se çfarë do të kishte ndodhur sikur për 21 vjet me radhë banorët e një qyteti të kalonin para godinës së teatrit të qytetit të tyre dhe të shihnin afishen e së njëjtës dramë. 21 vjet me radhë, pra, çdo natë, në teatrin e qytetit të tyre shfaqet e njëjta dramë. Më tej akoma. Mendoni që kjo pjesë luhet nga të njëjtët aktorë. Çfarë do të kishte ndodhur? Është vështirë të thuhet, por një gjë është e sigurt, që banorët e atij qyteti do të fillonin të rrudheshin nga shtati e të ndryshkeshin nga trutë. Një monotoni e tillë që të zgjaste kaq shumë do të kishte nevojë për shumë mjete të tjera që ta ndihmonin të mbahej në këmbë. Në radhë të parë do të kishte nevojë për sharlatanë. Sharlatanët në këtë rast janë ata komunikatorët me kostum e kravatë ose edhe pa to, që zihen me njëri-tjetrin për lojën e aktorëve në këtë dramë që luhet për 21 vjet rresht. Pjesa më e madhe e këtyre sharlatanëve drejtohet nga maxhordomë ose kamerierë politikë që thërrasin njerëz nëpër studio me drita të njelmëta dhe i vënë apo i ndërsejnë kundër njëri-tjetrit për të argumentuar se aktorët e kësaj drame që ka 21 e një vjet që luhet në këtë vend të shëmtuar ia fusin njëri-tjetrit dhe e shkatërrojnë njëri-tjetrin me dredhi, me hile, me hajni e me lloj-lloj gënjeshtrash. Këto studio me dritë i nxisin njerëzit që të duan më shumë atë politikan që është më hajdut se tjetri, atë që ia hedh apo që ia fut sa krahu tjetrit. Populli që është poshtë në sallë rri bën sehir dhe pasi mbaron telenovelat e ardhura nga Turqia i hedh një sy edhe dramës që shfaqet në teatrin kombëtar të qytetit për të bërë përsëri të njëjtin gabim, për t’u mashtruar e për ta shtruar kurrizin ashtu siç ka bërë mot e jetë, në mënyrë që mbi kurrizin e tij të hipë udhëheqësi i radhës me lehtësinë më të madhe që pastaj ta vrasë, t’i fusë shqelma barkut dhe ai të ketë fuqi e pasion që ta duartrokasë përsëri në shfaqjen që do të vazhdojë edhe për 21 vjet të tjera.”
Shkrimin e plotë, ku refuzohet status quo-ja e ku denoncohet teatri 21 vjeçar i politikës shqiptare, mund ta gjeni në linkun http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/03/10/beu-yne-dhe-baba-dovleti/
Re.Pu.
Add new comment