Ikonat 4 muaj pa ekspertizë, Prokuroria pret përgjigjen e Ministrisë së Kulturës

Edhe pse kanë kaluar 4 muaj nga aksioni i cili sekuestroi rreth 1 mijë vepra arti, Prokuroria ende nuk ka në dorë një rezultat ekspertimi nga grupi i specialistëve. Burime pranë organit të akuzës, të kontaktuara nga “Albanian Screen”, kanë bërë me dije se nuk ka një përgjigje nga Ministria e Kulturës që nga tetori i vitit të kaluar, kohë kjo kur u gjetën dhe u sekuestruan në banesën e koleksionistit Gjergji Thimo qindra ikona dhe vepra të tjera.
Sipas Prokurorisë, kjo ka shkaktuar vonesë në hetime edhe pse Ministrisë së Kulturës i janë dërguar tri shkresa të cilat nuk kanë marrë përgjigje.
“AS” bën me dije se Prokuroria ka kërkuar nga Ministria e Kulturës që të ndikojë tek 10 ekspertët, ku njëri është nga kjo ministri, që ekspertiza të përfundojë brenda datës 15 janar 2014.
Pak javë me parë për këtë proces hetimor ishin në Tiranë disa ekspertë maqedonas, pasi dyshohet se rreth 20 ikona janë të vjedhura në këtë shtet. Gjatë operacionit policia arrestoi tre persona, ndër ta edhe koleksionisti Gjergji Thimo i cili pretendon se shumicën e ikonave i ka të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Trashëgimisë Kulturore.
Lajmi i sekuestrimit të ikonave bëri bujë pasi policia e cilësoi aksionin si një superoperacion dhe i ekspozoi ato për publikun.
a.r
Add new comment