Gjurmët e muzikës së vjetër shqiptare...

Para tre viteve, gazetarja Aida Tuci publikonte në gazetën “Mapo” një artikull me titull: “Një amerikan në kërkim të muzikës së vjetër shqiptare”, i cili fliste për përpjekjen e një shtetasi amerikan, Christopher King(i njohur për punën e tij në përmbledhjen e muzikës bluz), në gjetjen dhe përmbledhjen e këndëve të vjetra të muzikës shqiptare. Me këtë rast, King, publikoi edhe një disk me këtë muzikë, pasi, siç shkruan Tuci “gërmoi në arkivat amerikane dhe gjeti 78 incizime të rralla nga vendet e Ballkanit”. Arsyeja e risjelljes së këtij shkrimi, që flet për një punë e cila padyshim është një ngjarje për historinë kulturës shqiptare, lidhet më tepër me publikimin në Youtube të dy këngëve nga gjetjet e King. Bëhet fjalë për këngëtarin Riza Bylbyli nga Berati dhe këngët “Korba o Çeço” dhe “Ja thoshte bylbyli”, një version të së cilës e ka kënduar edhe Vaskë Curri. Videot janë hedhur në Youtube nga L.S që shkruan paraprakisht se materiali është në të drejtën e autorit që i ka mbledhur, pra King, por publikimi i tyre bëhet me motiv njohjen e këtij zëri të muzikës së vjetër shqiptare. Me këtë rast do nënvizuar se ndoshta ka ardhur koha që edhe institucionet të bëjnë diçka në këtë drejtim, meqenëse edhe puna e një njeriu të vetëm si King, ka rezultuar shumë produktive.
Linku: http://www.youtube.com/watch?v=JqbAkn2-7bI
s.z
Add new comment