21 Janar, tri vjet më pas. Mark Nika: Vrasësit e Aleksit bredhin me kostume 10 mijë euro

Sot bëhen tre vjet nga protesta dhe vrasjet e 21 janarit 2011. G.Shqiptare ka folur me familjarët e viktimave të kësaj ngjarjeje. Tre vjet më pas, opozita e majtë është në pushtet, autorët e akuzuar të vrasjeve janë të lirë; njëra nga viktimat, Aleks Nika, nuk ka ende autor, ndërsa familjarët ndihen të shkatërruar. Ja çfarë thotë xhaxhai i Aleksit të ndjerë, Mark Nika: “Vrasja është ende e pazbardhur për aq kohë sa Prokuroria e Përgjithshme e zvarrit çështjen. Unë nuk e di se pse ky institucion hesht, kur të gjitha faktet janë të filmuara dhe krimi nuk ka se pse të mos zbardhet. Nuk e kuptoj se përse nuk e thërrasin në pyetje ish-ministrin e Jashtëm, i cili ka dezinformuar duke formuluar qarkoren se ishte një grusht shteti. Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, nuk ka zbatuar urdhrat e Prokurorisë për ndalimin e personave të caktuar përgjegjës për vrasjen e nipit tim. Vrasësit ndodhen në parlament dhe unë nuk e kuptoj se përse duhet që të gjithë të heshtin, u bënë tre vjet që askush nuk flet. Unë nuk kam asnjë akuzë për asnjë person në mënyrë konkrete, por di të them se shteti vrau njerëz të pafajshëm. Vrasësit vishen me kostume 10 mijë euro, ndërsa fëmijët e nipit tim nuk kanë më baba”.
a.k
Add new comment