Edward Grey, Franz Vranitzky dhe heroi ynë i të gjitha stinëve, Isa Boletini

Franz Vranitzky ka dy periudha të rëndësishme në karrierën e vet. Njëra është periudha 1986-1997, në të cilën ai ka qenë kryeministër i Austrisë, dhe tjetra është menjëherë më pas, po në vitin 1997, në Shqipërinë e mbërthyer nga kriza e çuditshme e atij moti, dhe ka zgjatur veç gjashtë muaj, nga marsi në tetor (sepse të vjen në mendje gjashtëmuajshi i Princ Wied-it: të dy gjermanikë me përvoja gjashtëmujore në Shqipëri). Kanë kaluar shumë vite prej asaj krize, por ish-kancelari austriak nuk i është rikthyer shpesh asaj periudhe. Edhe kur i rikthehet, thotë gjëra krejt të parëndësishme, sidomos kur i duhet të flasë për Nanon e Berishën. Këta dy të fundit i përshkruan me tone krejt asnjanëse e indiferente. Të njëjtën gjë ka bërë dhe në një intervistë për GSH-në, në numrin e djeshëm. E vetmja gjë interesante e kësaj interviste është një vëzhgim i natyrës ekzotike. Me gjakmarrje? Me gra të virgjëra, alias burrnesha? Jo, me armë. Më poshtë është rrëfimi i tij:
“Një ditë një burrë m’u afrua në rrugë dhe më pyeti pse isha kundër që shqiptarët të mbanin armë në duar e në shtëpi. Iu përgjigja: ‘Armët nuk janë gjë e mirë në një vend të civilizuar’. Kjo bisedë ndodhi në mëngjes. Në mbrëmje, i njëjti person erdhi në Rogner dhe më solli një pako, brenda së cilës ndodhej një kallashnikov. Ma dha mua. Kurrë nuk kisha mbajtur në duar një të tillë më parë. Më pas i thashë se ishte gjë shumë e mirë që erdhi dhe ma dorëzoi kallashnikovin. Dhe e pyeta: ‘A të binda’? M’u përgjigj aty për aty: ‘Jo dhe aq, sepse ky është një nga tre kallashnikovët që kam në shtëpi’.”
Vitet ikin, dhe shqiptarët mbeten po ata? Apo të huajt nuk dinë t’i shohin ndryshe? I bëj këto pyetje, pasi kjo anekdotë më sillet si një version urban, dhe i banalizuar, i Isa Boletinit të çarmatosur para se të takohej me Edward Grey-in, ministrin e jashtëm britanik, në vitin 1913. “Nesër gazetat do të thonë se Isa Boletini më në fund u çarmatos në Londër”, thuhet t’i ketë thënë Grey. “Jo, jo, as në Londër nuk më keni çarmatosur”, i është përgjigjur Boletini, dhe prej xhepit ka nxjerrë një kobure tjetër.
Kur do na shqitet neve ky imazh i njerëzve të marrosur pas armëve?
Marrë nga rubrika 'Zululand', Dita
Comments
ka dhe vende me te armatosur
<p>ka dhe vende me te armatosur se ne. AMERIKA</p>
Po ti o Muco pse nuk i kujton
<p>Po ti o Muco pse nuk i kujton Vranickit marrezite e stafit te tij, duke filluar qe nga zevendesi i tij, i cili mbahet mend per nje foto ne te cilen bente "gezuar" me nje gote te madhe birre me vellane e Zanit ne Vlore? E duke vazhduar me tere operacionin Alba qe nuk vrau asnje kriminel me arme ne dore pervecse nje rasti shume te dyshimte ne Elbasan. Apo nuk ia ke idene ketyre gjerave? Atehere pyet...</p>
Add new comment