Sëmundja e Venerës

Simonetta Vespucci është ndoshta një nga gratë më të dashura të Rilindjes Italiane. Besohet gjerësisht se Sandro Botticelli e ka përdorur atë si model për Venerën (Venusin). Gjithashtu, ajo shfaqet, e transformuar dhe e idealizuar, në disa nga veprat e tij më të famshme.
Ajo vdiq në vitin 1476, vetëm 23 vjeç. Për shekuj me radhë, historianët kanë supozuar se vdekja i erdhi për shkak të tuberkulozit. Në atë kohë, kjo sëmundje ishte e zakonshme dhe shpesh fatale. Për më tepër, ajo sëmundje i përshtatej modelit të një gruaje të re që venitet shpejt.
Në vitin 2019, unë dhe kolegët e mi propozuam një shpjegim tjetër. Ne shqyrtuam portretet që i atribuoheshin Botticellit së bashku me përshkrimet që u janë bërë në atë kohë, për të parë nëse fytyra e të njëjtës grua ndryshoi në mënyra që mund të pasqyronin një sëmundje të tillë.
Ajo që gjetëm ishte një ndryshim gradual në tiparet e saj në shumë piktura - ndryshime delikate në nofull, ballë, indet e buta të fytyrës. Këto janë ndryshime që vihen re te pacientët me adenomë hipofizare, një tumor i gjëndrës së vogël në bazën e trurit që kontrollon prodhimin e hormoneve.
Në mënyrë specifike, dyshuam për një tumor që sekretonte si hormonin e rritjes, ashtu edhe prolaktinën. Teprica e këtyre hormoneve mund të ndryshojë konturet e fytyrës me kalimin e kohës dhe, në disa raste, të shkaktojë laktacion të papritur - dhe një figurë alegorike në veprën e Botticellit duket se paraqet pikërisht simptomën në fjalë.
Në artikullin tonë të vitit 2019 u treguam të kujdesshën. Ne nuk po pretendonim prova - ne po ofronim një lexim të besueshëm mjekësor të provave vizuale, të ndërtuara duke kombinuar historinë e artit me endokrinologjinë klinike.
Së fundmi, në një punim të ri të botuar në “Endocrinology, Diabetes and Metabolism”, unë dhe ekipi im kemi shkuar më tej. Ne besojmë se vetë vdekja e Simonettës - e papritur, e shpejtë dhe dramatike sipas rrëfimeve të bashkëkohësve - është tregues i një urgjence specifike mjekësore: apopleksia e tumorit të hipofizës.
Apopleksia ndodh kur një tumor i hipofizës rrjedh gjak ose fryhet me shpejtësi. Zakonisht shkakton një dhimbje koke të papritur dhe të fortë, humbje të shikimit, konfuzion dhe një përkeqësim të shpejtë të gjendjes, ndërsa rregullimi hormonal i trupit del jashtë funksionit.
Ne argumentojmë se kjo do të shpjegonte diçka që vetëm tuberkulozi mezi e shpjegon: si një grua e re më parë e shëndetshme kaloi nga mirëqenie e dukshme në vdekje brenda një periudhe të shkurtër. Infeksionet kronike si tuberkulozi zakonisht shkaktojnë një rënie më të ngadaltë dhe më të dukshme.
Tri linja provash
Rasti ynë mbështetet në tre linja provash. Së pari, ndryshimet fizike të dukshme nëpër portrete: Botticelli e pikturoi Simonetën disa herë, nga vitet 1470 deri në “Lindjen e Venusit” pas vdekjes (1482–1485) - që sugjerojnë një tumor që rritet me muaj ose vite.
Së dyti, simptomat e përshkruara në kronikat e sëmundjes së saj të fundit (letra të shkëmbyera midis Piero Vespucci dhe Lorenzo de’ Medici, që përshkruajnë kolapsin e saj në një ballo dhe dhimbjet e kokës, halucinacionet, të vjellat dhe ethet që pasuan), të cilat përputhen ngushtë me paraqitjen klinike të apopleksisë.
Së treti, dy ngjarje të dokumentuara në muajt para vdekjes së saj – gjendja e të fiktit gjatë vallëzimit intensiv në një ballo dhe një takim i dyshuar i dhunshëm me Alfonson II të Aragonës, Dukën e Kalabrisë - që mund t’i kenë shkaktuar një gjakderdhje ose zgjerim të papritur të tumorit.
Asgjë nga kjo nuk përbën siguri. Nuk ka mostër indesh nga viti 1476, asnjë skanim, asnjë mënyrë për të ekzaminuar Simonettën drejtpërdrejt - vetëm piktura, letra dhe arsyetim klinik të aplikuar pesë shekuj pas faktit.
Ajo që mund të themi është se një tumor i aftë të ndryshojë ngadalë formën e fytyrës së një personi është gjithashtu i aftë, nëse shpërthen, ta vrasë atë shpejt. Së bashku, portretet dhe të dhënat historike tregojnë një histori më të plotë sesa mund të tregojnë të dyja veçmas.
Shpresojmë që kjo t'i inkurajojë si historianët, ashtu edhe profesionistët mjekësorë, të shqyrtojnë përsëri raste si ajo e Simonettës. Njohuritë mjekësore ndonjëherë mund t'u përgjigjen pyetjeve që të dhënat e pastra historike nuk mund t'u japin. Dhe, nga ana tjetër, enigmat historike mund ta shtyjnë mjekësinë të mendojë ndryshe rreth mënyrës se si sëmundja zhvillohet në trup me kalimin e kohës.
*Autori është profesor në Departamentin e Diabetit dhe Kërkimeve Klinike, Universiteti Queen Mary i Londrës
/ The Conversation /

Add new comment