Avash me yryshin e polifonisë së Itakës

Postuar në 17 Korrik, 2026 18:21

Tani që premiera e filmit madhështor ODISEJA u krye, kam një falenderim për të bërë për kompozitorin e muzikës së këtij filmi z. LUDËIG GORANSON, i cili më bëri pjesë të grupit të ekspertëve të muzikës në këtë film.

Qasja e regjisorit Nolan dhe talenti i pacak i z Goransson (fitues i çmimit OSKAR për muzikën e filmit OPENHAJMER), bëri që vëmendja e tyre natyrshëm të kthehej edhe nga traditat muzikore mijravjeçare të popullit tonë, të Labërisë dhe të Toskërisë, vokale dhe instrumentale. Padyshim, përfshirja e tyre në muzikën e filmit (muzika e interpretuar nga fyejt e Gramshit, grupi i Djemve të Delvinës dhe fyelltari Vendim Kapaj-Vlorë), janë një konfirmim botëror i vlerave të jashtëzakonshme artistike muzikore të popullit tonë.

Përgëzime mjeshtrit Goransson dhe ustallarëve tanë të traditës për këtë arritje Homerike!

Këto i shkruan në profilin e vet në Facebook, Vasi Tole, muzikolog dhe akademik.

 Së pari meriton vlerësim hapja kulturore e autorëve të filmit që patjetër kanë dashur të sjellin atmosferën pastorale të botës homerike në zonën joniane. Një botë me homogjenitet zakonor të dëshmuar si nga muzika, veglat muzikore, ashtu edhe veshja. P.sh pileusi i vjetër helen ka lidhje organike me qeleshen shqiptare(plisin në variantin geg) dhe kjo shpjegohet me faktin se dallimet mes popujve të zonës kanë qenë në rrafshin e institucioneve politike më tepër sesa në bërthamën e traditës.

Megjithatë kjo nuk justifikon entuziazmin e një akademiku që shprehet se një film i realizuar nga një regjizor shumë i njohur, “janë një konfirmim botëror i vlerave të jashtëzakonshme artistike muzikore të popullit tone”. Nuk e konfirmon botërisht vlerën artisitike një përdorim kinematografik, pasi muzika e çdo shoqërie ka asye funksionale dhe shpirtërore pse ngjizet. Ajo nuk lind dhe zhvillohet nën kompleksin e të bërit dikur të famshëm, kështu që kjo qasje gati folklorike mbetet pas për nga provincializmi edhe me vetë natyrën endogjene të folklorit.

Nga ana tjetër polifonia është dukuri mesdhetare, me variacionet e veta në vende të ndryshme dhe përpjekja sado e nënkuptuar për ta shpallur atë si ekskluzive shqiptare stonon dhe madje përplaset keq me zgjidhjet përmbajtësore të filmit të Nolan që i ka ikur narrativës homerike në shumë plane dhe ndaj edhe po përballet me kritika. Por edhe me lavdërime të ekzagjeruara si këto të Toles.

Ky episod kur një akademik rend me vrap për të shpallur se si shqiptarë morëm edhe njëherë konfirmimin se kemi vlera, se jemi me kontribute, pra nuk jemi me bisht dhe hiçmosgjë, tradhëton komplekset e mëdha që nuk po i shqiten kësaj shoqërie. Kësaj radhe jo prej saj vetë, pasi shoqëria shqiptare e ka kaluar pragun e komplekseve të dikurshme me emigrimin dhe integrimin, por nga një elitë që e ka kthyer në motiv kryesor suksesin e imazhit dhe afirmimin e tij vetëm në audienca të huaja. Turizmi është për imazhin, këngët për imazhin, çdo sportist që pengohet në zonën e medaljeve është imazh, edhe Kadare u trajtua si imazh duke harruar se njerëzit krijojnë dhe punojnë fillimisht për vete. Se Kultura që të ruhet e çohet para nuk duhet të pagëzohet si e vlefshme vetëm kur merr nota jurish, por kur riprodhohet bashkë me jetën tonë.

Nuk ka kulturë të vërtetë pa polemikën, pa kontrastin, pa lokalen, pa unin identitar. Nuk është kulturë një formë që tenton të imitojë dhe rendë pas rrymës kryesore siç na sugjeron entuziazmi i elitës sonë të sotme që nuk do të kuptojë as rolin e vet dhe as detyrat që ka. Është aty për të duartrokitur dhe shërbyer si interprete e një trashëgimie që vetëm shitet te të huajt si fletëpalosje sesa kalon te shqiptarët e rinj. E sa për filmin dhe muzikën, ata që sot mburren dhe krenohen sadopak me diçka që është përzgjedhur për arsye strikt kinematografike, duhet të mbajnë parasysh se Odisea ishte më greku ndër heronjtë që u bashkuan me akeasit.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.