Ekzorcizmi i Shqipërisë!

Postuar në 14 Korrik, 2026 15:17
Leonard Mitro

 

Shqipëria ka 44 ditë në protestë, e mbështetur edhe nga Diaspora, në ngjarjen më atipike të tranzicionit, ku gërshetohen shumë vokacione të cilat konvergojnë në një pikë, largimin e kryeministrit Edi Rama. Dalja masive e qytetarëve në bulevard prishi shfaqjen e deridjeshme dhe u identifikua me një simbol që fitoi simpati ndërkombëtare, flamingon. Shumica e qytetarëve përballë një kryeministri që e trajton veten si kryetar të një fisi indigjen, i rrethuar nga një enturazh po aq figurativ dhe argëtues……që paralelisht me ahengun vetësugjestionues po qeveris edhe Shqipërinë, me shumë dëme madje.

Po përmend vetëm disa emra që sot përfaqësojnë këtë enturazh dhe atë që mund të quhet primati i Republikës: E kam fjalën për Taulant Ballën, Ulsi Manjën, Albana Koçiun, Ardit Bidon, Sara Milan, Zeqine Çaushin, Tërmet Peçin e kështu me radhë. Për secilin është e lehtë të gjesh një epitet që siç do thoshte Noli përshtatet me tipologjinë e “Shakaxhinjve të Përparimit” apo “Ekselencave dhe Shkëlqesive” të Ali Asllanit.

Këtu marrin shpjegim edhe marrëzitë bio-morfologjike se flamingot erdhën në Shqipëri me ardhjen e zotit Rama në pushtet apo se dorovitja me 4.2 mln euro e ahengut të Kasharit e shpëtoi Shqipërinë nga një turp global. Me një vjedhje taktike, Neroni ynë profan shpëtoi dhe artin dhe Republikën! Zoti Rama i përket brezit të një urbano-kulture të vitrinës dhe marifetit që dominoi antikonfrmizmin brenda vetë pasardhësve të nomenklaturës puniste të viteve 80’, në veçanti në kryeqytet. Asgjë më shumë sesa shprehje e një cinizmi estetik dhe etike posesive të vëmendjes dhe mizantropisë, të ushqyer nga një moral eklektik që iu përçua një neoelite, fakeqësisht pa përmbajtje, pa ideale dhe për më tepër me vizion vetëm për veten.

Të gjitha deri diku të shpjegueshme në tranzicionin demografik të këtyre 30 viteve, ku Republikës iu desh të adoptonte realitetin e ri politik me anatominë e elitave që vërshuan mirëqënien dhe pushtetin në boshllëkun e lënë nga eksodi masiv i viteve 90’ dhe i vajtje-ardhjeve në vazhdim. Ironike se si kjo ruletë bëri bashkë Edi Ramën me Gramoz Ruçin, Edi Ramën me Taulant Ballën, Edi Ramën me Partinë Socialiste në tërësi, dy të këqija bashkë, ku mesa duket e keqja më e madhe po përgatit funeralin e të keqes tjetër. Dhe arkivoli që u shfaq në protestë ishte prolog i këtij funerali që do pllakosë herët ose vonë Partinë në pushtet. 

Një parti me shumë mëkate dhe krim që në fillesat e saj ideologjike deri në epokën e bashjkëqeverisjes me krimin si aksioner të pushtetit, së fundmi për meritë të Edi Ramës dhe shokëve të tij. Një parti që zhbëri ato pak arritje të qënësishme të demokracisë së tranzicionit, kriminalizoi dhe patronazhoi zgjedhjet dhe ekonominë, në funksion të një ambicje të vetme, hajdutërisë. Të qeverisesh sot nga kjo llozhë hajdutësh, morfemash transurbane në konflikt me civilizimin, është fyese, e papranueshme dhe mbi të gjitha e pamerituar për shoqërinë shqiptare, që pavarësisht shumë problemeve e ka tejkaluar fazën rakitike të zhvillimit por edhe kompleksitetin e demodeve politike që trashëgoi nga sistemi i kaluar. Të flasësh për bilancin e qeverisjeve të Edi Ramës mjafton premtimi për ujë 24 orë deri te kapardisja si superfuqi satelitore. Pallavra të panumërta si këto që kanë ushqyer miletin me lugën bosh të mirëqënies dhe prosperitetit.

Qeverisja në Shqipëri është bioma septike ku zoti Rama vetëafirmohet dhe ku përzihen, korrupsioni dhe grabitja, arroganca dhe përçmimi të livandosura me parfumin e pushtetit. Një poture e madhe që vjen erë! Zgjatim i këtij kolektori është edhe opozita partiake e Sali Berishës, e akomoduar me klientelizmin e sistemit. Protesta vetëm sa vulosi kapitullimin edhe të këtij antipodi të shndërruar në një ministri për opozitën. 

Fatkeqësisht procese politike që duhet të kishin në fokus arsimin dhe edukimin, strukturimin e ekonomisë dhe tregut, ptodhimin, inovacionin, demokracinë, mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës apo forcimin e institucioneve dbe drejtësisë janë dominuar nga egocentrizmi dhe protagonizmi i një njeriu, i cili duhet thënë se është në rolin e jetës, plotësisht në përputhje dhe përmbushje të karakterit dhe shfaqjes së vet. Atë të një kllouni ekzigjent të tipizuar me narcizimin, egoizmin, banalitetin, vulgaritetin dhe mbi të gjitha dështimin. Të gjitha të stilizuara në një zdap me poture që fatkeqësisht ka demonizuar trupin dhe shpirtin e kësaj shoqërie. Ndaj dhe protesta e flamingove është lufta e Shqipërisë për ekzorcizëm nga refluksi demoniak i Edi Ramës dhe lolove të tij. Këta lloj efialtësh nuk i duhen Shqipërisë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.