Ladies First!

Postuar në 03 Gusht, 2013 04:33
Vladimir Karaj

Pavarësisht fatit që do të ketë dhe mënyrës se si do të qeverisë, kundërshtarët vetë kryeministri Berisha janë detyruar të pranojnë se qeveria Rama e ka arritur tashmë një objektiv pozitiv. Ajo është qeveria e parë me 6 gra në përbërje. CV politike të ministreve, qëndrimet e tyre deri dje dhe cilat do të jenë përballjet e tyre më të forta

Një pjesë e mirë e shqiptarëve sigurisht janë provokuar/habitur kur në leximin e emrave të ministrave të rinj ai i Mimi Kodhelit, ishte përkrah Ministrisë së Mbrojtjes atje ku një pjesë as do ta kishin imagjinuar. Mes 6 pozicioneve qeveritare që u dhanë për ministre, ky dukshëm ka qenë ai më interesanti. Ai ka të bëjë jo vetëm me përfshirjen e një gruaje në qeveri, por dhënien asaj një pozicioni që për mjaft shqiptarë është burrëror, madje jo për të gjithë burrat. Kreu i socialistëve ndërkohë tregoi me këtë propozim dhe të plot 5 grave të tjera se në një farë mënyrë po tenton të ndryshojë vendin. Minimalisht duke paraqitur një qeveri me një imazh krejt ndryshe dhe në një farë mase kontravers, për një vend maskilist dhe me dhunë të theksuar gjinore. Ai në fakt është dalluar ta bëjë këtë që herët në karrierën politike, por ndërsa shumë njerëz e “akuzojnë” për bojatisës dhe kundërshtarët i referohen si “Piktori”,  në përzgjedhjen e qeverisë kryeministri i ardhshëm duhet të ketë menduar më shumë se sa për imazhin. Në fakt të 6 ministret (pesë të propozuara prej Ramës dhe një nga kreu i LSI Ilir Meta) nuk janë emra me aq ndikim në skenën piolitike, por janë shquar në fushat e tyre edhe pse mbetet të provojnë këtë në qeverisje ku 3 kanë pasur rastin të jenë edhe pse në pozicione që nuk kanë qenë dhe aq në dritën e publikut. Sidoqoftë do të duhet kohë për të provuar se ky afrim rekord i grave në qeverisje nuk është vetëm imazh, por edhe një tentativë për të ndryshuar raportet gjinore në vend dhe nga ana tjetër duhet të shoqërohet edhe me një qeverisje të sukseshme.

Më e reja Klajda Gjosha e propozuar në fakt nga LSI nuk ka shumë kohë që është shkëputur nga posti i zëvendësministres që kishte për sa kohë LSI ishte në koalicion me kryeministrin në detyrë Berisha. “Sa i takon mandatit si deputete nuk është se e mendova dhe aq gjatë. E vetmja gjë që më ka bërë të mendohem shumë, është çështja e përgjegjësisë së madhe që unë do të kem, duke marrë postin e ri si ministre e Integrimit, duke qenë në një moshë kaq të re”, thotë Gjosha në një intervistë një ditë pasi ishte shpallur në postin e Ministres së Integrimit. Gjosha që ka jetuar për një periudhë të gjatë në Angli ku ka kryer edhe studimet në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka një master në Studime Evropiane, ka po ashtu një ekpseriencë më shumë se 5 vjeçare si drejtuese në pozicione që kryesisht janë lidhur me turizmin dhe punët sociale. Ajo ka qenë për disa kohë edhe drejtoreshë në zyrën e Turizmit dhe Promovimit të qytetit në bashkinë e Tiranës në varësi të Lulzim Bashës, kreu të opozitës që do të ketë përballë si një nga ministret e ardhshme. Madje siç thotë në një intervistë Gjoshaj do të takohet tani për herë të parë me Ramën dhe pikërisht për të punuar me të si ministre në kabinetin qeveritar. Përtej gjithë kësaj Gjosha që është më e reja, kishte vetëm tre ditë që kishte mbushur 30 vjeç kur Rama e shpalli ministre integrimi, e një kabineti me një moshë mesatare 44 vjeç. Gjosha sidoqoftë nuk është e para që merr një post kaq të lartë në një moshë kaq të re. Kreu i LSI, i cili e ka propozuar atë, ka qenë thuajse në të njëjtën moshë kur mori përsipër të drejtonte vendin si kryeministër. I vetmi ndryshim në këtë rast është fakti që kemi të bëjmë me një vajzë. Sigurisht për aq kohë sa nuk do japë provat e një ministrje, ajo do të jetë më e paragjykuara në listën e grave të propozuara për ministre, pasi pjesa tjetër veç një moshës kanë arritur të ngrenë më herët karrierat e tyre në fusha të ndryshme. Ndërkohë veç Gjoshës pjesa tjetër e listës prej 5 grash është përzgjedhje e vetë kreut të Partisë Socialiste dhe me një pjesë të mirë prej tyre ai ka bashkëpunuar edhe më herët në postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Për shumë analistë përzgjedhja e Lindita Nikollës  (e ngjashme me atë të zv/kryeministrit Niko Peleshi) duket se ka të bëjë me një besim të veçantë që ka kreu i socialistëve te administratorët. Nikolla është ish-kryetare e Njësisë Minibashkiake Numër 1, e zgjedhur për dy mandate edhe pse të dytin e ndërpreu për të kandituar si deputete, pozicion që duhet ta lërë për të marrë atë të Ministres së Arsimit dhe Sporteve. Në fakt Nikolla ka një lidhje të hershme me arsimin. Ajo është përpunuese tektesh shkollore për shkollat 9-vjeçare dhe njëkohësisht ka shërbyer për vite me rradhë si mësuese dhe drejtoreshë në një nga gjimnazet e Tiranës. Në politikë ajo duket se futet me këmbë të mbarë më 2007, duke rifituar për socialistët një zonë që e kishin humbur në 2005 ku deputet u zgjodh përfaqësuesi i Partisë Demokratike. Më 2011 ajo u rikonfirmuar në votime si drejtuese lokale. Vetë Rama kur e prezantoi si kandidate për deputete në 8 mars të këtij viti i atribuoi asaj si vlerë ndër të tjera edhe lidhjet që kishte me komunitetin. Asaj i është besuar ndërkohë të drejtojë një nga ministritë më të rëndësishme në vend atë të Arsimit, të cilës në formatin e qeverisë Rama i është bashkangjitur edhe Sporti. Deri tani ajo nuk ka pasur një profil publik të lartë dhe është shfaqur vetëm rrallë në media. Si ministre e shpallur e Arsimit Nikolla u zotua duke shkruan në profilin e saj në Facebook se do të mbyllte dyert e politizimit dhe korrupsionit në shkolla dhe do të rikthente dinjitetin e mësuesit, prindërve e nxënësve dhe se “do të hapim një faqe të re në arsimin tonë”. Në mesazh sidoqoftë ajo ka harruar të përmendë sportin, që i bashkangjitet kësaj ministrie menjëherë sapo të votohet në Kuvend, ndërsa ende mbeten për t’u parë reformat që do të ndërmerren në të dyja fushat. Fakti është që Arsimi ka qenë një nga pikat më të forta të fushatës së fundit për socialistët. Ata sulmuan qeverisjen aktuale për përdorim politik të shkollës dhe ulje të cilësisë së saj dhe korrupsion galopant në emërimet e mësuesve.

Suprizë dhe habi ka qenë edhe propozimi për ministre Kulture të përkthyeses dhe pedagoges Mirela Kumbaro Furrxhi. Kjo e fundit ishte si një pjesë e mirë e qeverisë së shtatorit e palakuar në media edhe pse është një personazh i njohur dhe aktiv si publiciste dhe siç mësohet edhe shfrytëzuese e rrjeteve sociale për të shtuar mundësitë e komunikimit. Veç faktit që kemi të bëjmë me një intelektuale dhe një person të sukseshëm në fushën e saj, interesant në rastin Kumbaro është edhe një farë kundërshtie që ajo ka shfaqur me mazhorancën e re. Në postimet publike në Facebook duke ngacmuar fillimisht me ripostimin e një shkrimi nga blogu Respublica ku kërkohej trasparencë për marrëveshjen Rama-Blair. Më e ashpër ka qenë ndërkohë një ironi me pozicionin e njërit prej të zgjedhurve deputetë nga partitë aleate të PS. “Nëse kap një mandat deputeti mund të bëhesh edhe ministër dhe te karrigia e deputetit mund të lesh dezhurn vëllain, po qe se vëllai është diku jashtë per probleme ligjore, mund vendosesh një gur derisa të kthehet ai”, shkruante Kumbaro në 1 Korrik (Citimi i marrë pa lejen e autores). A do të jetë ajo vazhdimisht polemiste edhe pas emërimit në postin e Ministres së Kulturës, të cilës për t’i dhënë një zë më të fortë dhe më shumë vëmendje kreu i PS i ka hequr të gjitha prapashtesat (edhe pse të rëndësishme) që kishte deri dje si Turizmi, Sporti dhe Rinia. Dy të parat u kalojnë kolegeve gra të Kumbaros,  Gjermeni dhe Nikolla, ndërsa e treta i bashkangjitet Ministrisë së Mirëqenies Sociale që do të drejtohet nga Erjon Veliaj. Përkthyese nga frengjishtja Kumbaro ka sjellë në shqip libra të Milan Kunderës dhe mjaft autorëve të tjera, ndërsa në një intervistë për Arta Markun ka rrëfyer se përkthimi mund të jetë edhe një shenjë dembelizmi. “… e ku ka më mirë se të rishkruash ide të shkëlqyera që e kanë kaluar tashmë provën e lexuesit!…ose ky është mbase edhe justifikim i dembelizmit! Por ka dhe një arsye të tretë e cila ka qenë motori i vërtetë i profesionit tim: dëshira e fortë për të ndarë me të tjerë leximet që më pëlqejnë…”, thotë Kumbaro. Si kolegia Nikolla të vetmin reagim për postin ajo e ka bërë në rrjetet sociale. “E di që sot kam hedhur një hap të guximshëm dhe jam shumë e prekur nga mbështetja Juaj, por sidomos nga entuziazmi dhe shpresa që keni treguar sot për qeverisjen e re dhe për detyrën që më është besuar në fushën e kulturës, të artit dhe të trashëgimisë kulturore”, shkruan ajo në një mesazh falenderimi për përshëndetjet që kishte marrë. E zgjedhur nga shoqëria civile Kumbaro ndër të tjera veç letërsisë është edhe në listën e përkthyesve zyrtarë me të drejta për të përkthyer edhe dokumente të sekretit shtetëror.

Mirela Harito e kthyer rishtazi në Shqipëri pasi ishte larguar më 1991 për në Francë dhe e përfshirë po ashtu rishtazi në listat e PS si deputete e tashmë ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike, është doktore shkencash në fushën e teknologjisë dhe për një kohë të gjatë ka qenë drejtuese në një nga kompanitë më të mëdha të telefonisë në botë Orange në Francë ku edhe ka marrë titullin doktoresh në Universitetin Paris (VI) “Pierre et Marie Curie”. Edhe pse pak e njohur në politikën shqiptare deri pak kohë më parë kur u prezantua si pjesë e stafit që përgatiti programin për qeverisje të PS Harito është një nga ministrat e propozuar që është sulmuar nga opozita e re. Kryeministri Berisha e quajti atë kohë më parë si “kryefshesare” dhe kushurirë e Edi Ramës duke aluduar për mbiemrin Koleka që i lidh të dy. Harito vetë ka sqaruar se është kushërirë e 6 e Ramës dhe stërmbesë në fakt e Spiro Jorgo Kolekës një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë. Harito pritet të ketë si barrë ndërtimin e Administratës Publike, ndërsa ajo është ngarkuar tashmë me mbledhjen e CV-ve në fushatën që Rama nisi menjëherë pas fitores së zgjedhjeve dhe që pritet të shërbejë si dadabase për përzgjedhjen më pas të drejtuesve të rinj në vend. Harito i ka pasur të paktat daljet publike, ndërsa ajo ende nuk ka përcjellë ndonjë mesazh pas përzgjedhjes në postin e ministres, ku ndryshe nga shumë të tjerë është edhe në fushën e saj të ekspertizës. Ashtu si një pjesë e kabinetit të ri qeveritar ajo mbetet e paprovuar në politikë.

Englantina Gjermeni është deputete e Partisë Socialiste që prej vitit 2009. Ajo iu bashkua kësaj partie pasi në krye të saj u zgjodh Edi Rama dhe ishte një nga përzgjedhjet e këtij të fundit në listën e deputetëve të 2009. Gjermeni fillimisht është votuar në listën e Tiranës dhe në 2013 u zgjodh deputete në listën e qarkut të Fierit. Ajo vjen nga një karrierë akademike, më herët ka qenë kryesisht pedagoge dhe lektore për barazinë gjinore dhe çështje të tjera sociale ndërsa ka qenë gjithashtu e angazhuar në shoqërinë civile dhe drejtorezhë e Aleancës Gjinore për Zhvillim për vite me rradhë. E propozuar si Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Gjermeni njëkohësisht ka parë në qeverinë e re edhe një “fitore” të fushatës së saj për barazinë gjinore përfshirjen në të të 5 kolegeve.  “Kjo është një gjë që unë vazhdimisht e kam pasur shumë për zemër edhe ndjehem shumë mirë që modeli i qeverisë së re është modeli më demokratik dhe më përfaqësues për shoqërinë shqiptare, duke përdorur me efikasitet potencialet dhe kontributet e të dyjave gjinive, grave edhe burrave”, shkruan ajo në postimin në rrejtin social ku përshëndet ata që i kanë uruar përzgjedhjen si ministre. Posti i saj do të jetë ndërkohë një nga më të rëndësishmit dhe asaj do i duhet që në fillim të vërë në jetë programin qeverisë së re për bregdetin përfshi edhe premtimet për shkatërrimin e një pjese të mirë të ndërtimeve pa leje në këtë zonë. Gjermeni që ndërkohë ka shpenzuar një mandat deputeteje në parlament dhe do duhet të lërë mandatin e dytë për të shërbyer si ministre.

Mimi Kodheli që do të jetë gruaja e parë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes është edhe përfaqësuesja më jetëgjatë në politikë dhe administratën publike në ekipin e grave që do të jenë në qeverinë e re dhe po ashtu një bashkëpunëtore e hershme e kryesocialistit Rama. Kodheli është përfshirë në politikë që para vitit 2005 dhe ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet e 2005 pasi kishte shërbyer ndërkohë si nënkryetare në Bashkinë e Tiranës dhe Prefekte e Qarkut Tiranë. E arsimuar në ekonomi dhe administrim në SHBA, Itali dhe Shqipëri Kodhelit nuk do i duhet në fakt të përgatisë ushtrinë për luftë siç edhe është imazhi i ministrit të Mbrojtjes edhe pse do i duhet të drejtojë një mori gjeneralësh e ushtarakësh. Në fakt puna kryesore që i takon asaj dhe prej ku edhe do matet suksesi do jetë mirëadministrimi i pronave dhe financave që ka ushtria shqiptare, të cilat po ashtu kanë qenë pjesë e debatit në fushatë. Ndërtimi i një ushtrie moderne duhet të jetë pjesë e prioritetve të ministres së re të Mbrojtjes, por kjo e fundit më herët duhet të zgjidhë problemet ekonomike të ushtrisë dhe t’i japë zgjedhje statusit të ushtarakut dhe ish ushtarakëve.

Zgjedhja e saj dhe 5 grave të tjera në postet ministrore ka qenë edhe pika më e fortë e kabinetit të sapo shpallur, pavarësisht se çfarë do të arrijë ai. Emërimi i 6 ministreve impresionoi pozitivisht edhe kryeministrin në detyrë Sali Berisha, i cili ndërsa ironizonte kabinetin është detyruar të pranojë se përfshirja e grave në të ishte pozitive “e vetmja gjë pozitive” tha ai në mbledhjen e qeverisë që u zhvillua paralelisht me shpalljen e qeverisë së re.

Mapo

Comments

Submitted by Arben G. (not verified) on

<p>Aferim,</p><p>Kjo s&#39;eshte lady, eshte karakurve politike!</p>

Submitted by davidi (not verified) on

<p>me mire te thuash:&nbsp;cousins ​​and former lovers first!</p>

Submitted by davidi (not verified) on

<p>cousins and former lovers between ladies first.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.