Më dëgjoni mua: Votoni Edin!

Në datën 5 maj, gazeta “Dita”, publikonte një shkrim me autor Fatos Tarifën, nën titullin: Për të rinjtë që votojnë për herë të parë!
Socilogu në fjalë, që dikur ka qenë ambasador I Shqipërisë në SHBA, u drejtohet të rinjve 18-20 vjeçarë që do të votojnë më 11 maj. Dhe u drejtohet me një apel për të bërë kujdes nga Sali Berisha.
Zoti Tarifa sjell në mendje bëmat e Berishës, që nga prishja e një mbikalimi në Tiranë për të cilin, Edi Rama, asokohe kryebashkiak i Tiranës dhe kryetar i PS-së, detyroi një parti të tërë për protesta. Këtë akt, që u bë me vendim administrativ, Tarifa e quan “veprim psikopatik që çoi për lesh nuk e di se sa milionë euro”. Dhe ai mbikalim po ndërtohej me taksat e qytetarëve shton sociologu.
Mandej bëma e dytë e Berishës, ishte prishja e një kontrate me General Electric. Tarifa mendon se Berisha vuan nga një sindromë post-socialist shkatërrues, përkufizim ky që vetëpozon zhurmshëm një akuzë të vjetër se demokracia erdhi me shkatërrime.
Ky njeri nuk ka ide racionale; ai ka vetëm një instinkt primitiv agresiv shkatërrues, të cilin psikanaliza do e shpjegonte me parimin e kënaqësisë. Konservimi i primitives, dhuna dhe shkatërrimi janë kënaqësia e tij; e reja, modernia, paqësorja, e bukura i vrasin sytë dhe provokojnë tek ai instinkte të dhunshme shkatërrimtare.
Nëse votoni për këtë njeri dhe për koalicionin që ai drejton, ju, të dashur votues të rinj, që më 11 maj do të ushtroni për herë të parë të drejtën tuaj qytetare për të zgjedhur, do të votoni jo për të ardhmen e Shqipërisë, por për të shkuarën, jo për ndërtimin e një Shqipërie moderne, por për shkatërrime të reja, si ato të viteve 1990 dhe 2005-2006, që nuk e ndihmojnë progresin; do të votoni jo për një kryeqytet modern europian, por për Tiranën që Berisha e çfytyroi dhe e fëlliqi në fillim të viteve 1990.
Vini në punë arsyen tuaj! Instinket tuaja demokratike natyrshëm shohin e ju çojnë përpara, nga modernia! Instinktet klanore e revanshiste të Berishës shohin dhe çojnë pas, në primitiven, në një kohë që ju duhet ta refuzoni, të mos e provoni si eksperiencë jetësore tuajën
shkruan Tarifa.
Ai nuk thotë se cilin duhet të votojnë këta të rinj, por mjaftohet me sugjerimin se për cilin Nuk duhet të votojnë.
Arsyeja e do që sugjerimi është që të votohet PS-ja, Edi Rama me të vetët, edhe pse nëse dikush do të ulej e t’u rrëfente këtyre të rinjve bëmat e qeverisë së tanishme nuk do të mund të mbaronte dot deri më 11 maj. Bëmat dhe gjëmat e kësaj qeverie jetohen në kohë reale, që nga inceneratori që nuk ekziston, te kanabizimi, te bandat e kokainës që ndërtojnë kulla e deri te përhapja qelizore e korrupsionit. Fatos Tarifa vetë dikur u akuzua për shpërdorime me detyrën. Por ky është një raport me veten që gjithësecili duhet të gjejë vetë.
Fatos Tarifa, një person publik, hyn ndër ata njerëz që nuk kishte se çfarë të thoshte për Erjon Veliajn e burgosur, veçse lavdërime dhe miklime. E megjithatë, drejëtsia e re po na provon se Veliaj ka bëmat dhe gjëmat e veta në karrige.
Ky sociolog harron ndërkohë – ose ndoshta nuk harron por tenton të manipulojë – se ndër ata që mund të votojnë për herë të parë më 11 maj janë edhe një kategori tjetër. Janë ata njerëz që kanë lindur në vitet ’70-’80, që njohin kohën e shkuar, shkatërrimet e pluralizmit, 1997-n, Berishën, Nanon, Ilir Metën, Edi Ramën. Dhe kanë parë sesi sillen e çfarë thonë edhe njerëz si Tarifa. E njohin historinë e afërt politike të vendit dhe e dinë përrallën e Berishës si e keqja e madhe.
Këtë kategori nuk i çon në zgjedhje Sali Berisha, që është një kufomë politike që mund të ngjallet vetëm nga nekroza e vetëshkaktuar mbi vendin nga Edi Rama, por ky i fundit. Këtë e di mirë edhe ky Fatos Tarifa, që hyn ndër ata njerëz, që me vetëdije, apo për afilacion të brendshëm, ngjyros përherë vetëm një faqe. Sheh përgjithmonë një koordinatë.
Dhe janë këta njerëz që ndikojnë më shumë sesa Edi Rama, apo Sali Berisha që shqiptarët të ikin, teksa shohin se bukës nuk ka për t’iu thënë bukë ndonjëherë në këtë vend. E keqja që ka zënë për fyti këtë vend sot nuk është Sali Berisha, ai është pjesë e saj, por përherë e më pak virulente. E keqja më e madhe është Edi Rama, pandemia e korrupsionit të tij dhe enturazhi që qarkon atë, mes të cilëve edhe ky Tarifa që nuk di të thotë një fjalë të vetme për morinë e skandaleve që nuk kanë të sosur.
Sigurisht që t’i thuash një të riu sot “mos e voto Berishën” është e dobishme! Sepse Berisha duhet të ishte tjetërkund tani. Por është malinje dhe shumë djallëzore, të mos shtosh që nuk duhet të votojë as Edi Ramën! Sidomos këtë, tani që nuk ka ujë të lajë lemerinë e hajdutërisë që ushtrohet si profesion buxhetor në këtë vend.
Comments
Ky termi "drejtesia e re"
Ky termi "drejtesia e re" eshte shpikje e retorikes se partise "pronare" te Reformes ne Drejtesi. Ka drejtesi te reformuar, por jo te re.
Add new comment