Bardhi: Presidenti, noter i qeverisë

Kreu i Grupit Parlamentar dhe nënkryetar i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka reaguar pas shpalljes nga Presidenti i Republikës të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh, duke e cilësuar vendimin si një akt që, sipas tij, cenon rendin kushtetues dhe ndarjen e pushteteve në vend.
Bardhi thekson se shpallja e ligjit, pavarësisht asaj që ai e konsideron “shkelje flagrante të Kushtetutës” gjatë procedurës së miratimit, është tregues se “Edi Rama ka çmontuar çdo mekanizëm kushtetues të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve”.
Sipas Bardhit, Presidenti i Republikës ka detyrimin kushtetues të verifikojë nëse ligjet janë miratuar në përputhje me Kushtetutën dhe, në rast shkeljesh, t’i kthejë ato për rishqyrtim në Kuvend.
“Ky është një mekanizëm themelor i kontrollit dhe balancës së pushteteve, jo një formalitet protokollar”, shprehet ai.
Kreu i grupit demokrat thotë më tej se Presidenti Bajram Begaj gjatë ushtrimit të detyrës nuk ka kthyer pothuajse asnjë ligj për rishqyrtim, edhe në raste që, sipas Bardhit, më vonë janë konstatuar problematike nga Gjykata Kushtetuese.
Ky nuk është më ushtrim i funksionit kushtetues të Presidentit. Ky është dorëzim i rolit të Kreut të Shtetit përballë vullnetit të qeverisë.
Sipas Bardhit, kur Presidenti nuk ushtron kompetencat e tij, Kuvendi funksionon si zgjatim i qeverisë dhe dobësohen mekanizmat e kontrollit institucional.
Kur Presidenti heq dorë nga kompetencat e tij, Kuvendi funksionon si zgjatim i qeverisë… përqendrimi i pushtetit në duart e një njeriu të vetëm është kërcënimi më i madh për çdo demokraci.
“Akti i Presidentit të Republikës përbën një tjetër goditje ndaj rendit kushtetues dhe shtetit të së drejtës”, shprehet Bardhi, duke shtuar se “askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë atë si një pengesë formale përballë abuzimeve me pushtetin”.

Add new comment