Protesta e Tiranës, seancë dëgjimore në PE

Postuar në 01 Korrik, 2026 20:23

Në Parlamentin Europian u mbajt një seancë dëgjimore lidhur me protestat e përditshme para Kryeministrisë, me pjesëmarrjen e aktivistëve të shoqërisë civile, atyre të çështjeve të mjedisit dhe deputetes Marjana Koçeku, e cila para dy javësh njoftoi tërheqjen nga grupi parlamentar socialist, duke iu bashkuar protestës si deputete e pavarur. Koçeku theksoi në fjalën e saj se të rinjtë shqiptarë po tregojnë se janë më pranë Europës dhe vlerave të saj sesa establishmenti politik.  

 

Protestat e mëdha tregojnë se njerëzit po kërkojnë jo vetëm të dëgjohen por edhe të marrin pjesë në vendimet që formësojnë të ardhmen e tyre. Rinia shqiptare në shumë aspekte është me europiane se establishmenti politik.

 

Protestat nisën falë shoqërisë civile, dua të përmend këtu PPNEA. Askush nuk duhet të vihet para zgjedhjes mes mbrojtjes së atdheut dhe të drejtave të tij. Sepse këto të dyja janë njëlloj të rëndësishme dhe thelbësore. Janë e njëjta gjë.

 

Brezi im, rinia shqiptare, besojnë se pushteti duhet t’i përkasë shtetit si institucion demokratik që u shërben qytetarëve dhe jo atyre që përkohësisht mbajnë zyrat e administratës publike. Shqiptarët duan ta shkatërrojnë këtë skemë rrënuese të zhvillimit përmes projekteve të real estate që u mungon transparenca dhe përjashtojnë qytetarët  nga vendimmarrja dhe i jep prioritet privilegjeve të një pakice. Ky model jo vetëm po shkatërron peizazhin e Shqipërisë, por po i shtyn shqiptarët të ikin nga vendi i tyre.    

 

Ndërsa mundësitë sa vijnë e bëhen gjithnjë e më pak të aksesueshme, gjithnjë e më shumë shqiptarët po ndihen si të huaj në vendin e tyre. Kjo është arsyeja pse qindra mijëra prej tyre kanë lënë vendin vitet e fundit.

 

Që nga nisja e nisja e procesit të pranimit të Shqipërisë, qytetarët kanë pritur më shumë transparencë dhe përgjegjësi në çdo sektor të jetës publike. Kjo sidomos në fusha si mbrojtja e mjedisit, e drejta e pronës, prokurimet publike dhe investimet strategjike.

Integrimi europian duhet të na japë garanci që standardet nuk do të jenë thjesht në letër.

Kam një mesazh për shqiptarët: Mos e humbni besimin te demokracia.

Për BE, vijoni të mbështesni jo vetëm pranimin tonë në BE, por edhe demokracinë tonë.

Europa nuk është vetëm një destinacion. Është një komunitet vlerash.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.