Misteri i masës/ Shkenca drejt zgjidhjes së një prej mistereve më të mëdha të natyrës
Çdo atom në univers mban brenda një sekret të madh: pse nuk shpërbëhet? Edhe pse protonet në bërthamë shtyhen fuqishëm mes tyre për shkak të ngarkesës pozitive, ato qëndrojnë të lidhura falë një force të panjohur për dekada – forcës së fortë bërthamore.
Që nga mesi i shekullit XX, teoria e njohur si Yang-Mills ka shpjeguar këtë “ngjitës” atomik përmes grimcave të quajtura gluone. Por këtu lind paradoksi: edhe pse teoria ndërtohet mbi grimca pa masë, ajo prodhon objekte që kanë masë reale dhe të matshme.
Ky kontrast, i njohur si “hendeku i masës Yang-Mills”, mbetet një nga problemet më të mëdha të fizikës moderne. Në vitin 2000, ai u rendit ndër shtatë Problemet e Mijëvjeçarit, me një shpërblim prej 1 milion dollarësh për këdo që arrin ta zgjidhë.
Eksperimentet e fundit kanë dhënë prova të forta për ekzistencën e grimcave të përbëra vetëm nga gluone, të cilat megjithatë kanë masë. Kjo sugjeron se masa nuk vjen vetëm nga bosoni Higgs, por edhe nga energjia e ndërlikuar e ndërveprimeve brenda bërthamës atomike.
Megjithatë, një provë e plotë matematikore mungon. Ekuacionet Yang-Mills janë jashtëzakonisht të ndërlikuara dhe lidhen me sisteme kaotike ku grimcat ndikojnë vazhdimisht njëra-tjetrën. Deri tani, shkencëtarët janë mbështetur kryesisht në simulime kompjuterike, të cilat përputhen me eksperimentet, por nuk japin zgjidhje përfundimtare.
Kohët e fundit, përparime të reja në matematikë dhe teori probabilitare kanë rihapur garën për zgjidhjen e këtij misteri. Studiuesit po arrijnë të kuptojnë më mirë versionet më të thjeshta të problemit, duke rritur shpresat se një përgjigje e plotë mund të jetë më pranë se kurrë.
Zgjidhja e kësaj enigme nuk do të ishte vetëm një fitore teorike. Ajo do të shpjegonte origjinën e masës dhe do të thellonte kuptimin tonë për strukturën bazë të universit.
Pas dekadash kërkimesh, një gjë është e qartë: shkenca mund të jetë vetëm një hap larg zgjidhjes së një prej pyetjeve më të mëdha.
/ New Scientist /

Add new comment