Kryeministri belg: Negociata me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Postuar në 15 Mars, 2026 18:50

Kryeministri belg, Bart De Wever, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të nisë negociatat me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të normalizuar marrëdhëniet me Moskën. Në një intervistë për gazetën "L’Echo", ai deklaroi se një fitore ushtarake ndaj Rusisë është e pamundur pa mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe se konflikti mund të përfundojë me një “ngrirje” të frontit, të ngjashme me situatën mes dy Koreve.

De Wever theksoi se Evropa vazhdon të financojë Ukrainën pa qenë pjesë e tryezës së negociatave, ndërsa përfitues të situatës, sipas tij, janë Kina dhe SHBA. Ai argumentoi se në interes të Evropës është përfundimi i konfliktit dhe rivendosja graduale e marrëdhënieve me Rusinë, përfshirë edhe rikthimin e aksesit në energji më të lirë.

Megjithatë, kryeministri belg theksoi se Ukraina duhet të mbetet një shtet sovran dhe demokratik dhe të integrohet në familjen evropiane. Sipas tij, sfida kryesore është gjetja e një formule që do ta bindte Rusinë të pranojë një marrëveshje, në një kohë kur Perëndimi nuk është plotësisht i bashkuar.

Deklaratat e De Wever vijnë në kuadër të një serie intervistash për shtypin frankofon belg, me rastin e publikimit të versionit në frëngjisht të librit të tij të fundit “Prosperité”. Më herët, ai është përballur me kritika politike dhe diplomatike për refuzimin e mbështetjes së një plani të BE-së për të përdorur rreth 210 miliardë euro nga asetet shtetërore ruse të ngrira për financimin e luftës së Ukrainës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.