Ligji i ri i talebanëve: Dhuna ndaj gruas dënohet vetëm nëse i thyen kockat

Postuar në 19 Shkurt, 2026 20:57

Në Afganistan, talebanët kanë miratuar një ligj që u lejon burrave të rrahin gratë e tyre për sa kohë që kjo nuk shkakton "thyerje kockash ose plagë të hapura".

Sipas britanikes “The Telegraph”, e cila ka siguruar kodin e ri penal prej prej 60 faqesh - të nënshkruar nga Hibatullah Akhundzada, udhëheqësi suprem i talebanëve, dhe të shpërndarë në gjykatat në të gjithë Afganistanin – dhunimi i gruas nga burri cilësohet "ta'zir" - dënim diskrecionar – dhe nuk përbën një akt kriminal.

Ligji i ri u lejon burrave të godasin gruan dhe fëmijët, me kusht që dhuna të mos lërë fraktura të dukshme kockash ose plagë të hapura. Edhe në rastet kur lëndimi është serioz, dënimi maksimal është 15 ditë burg.

Ligji është hartuar në një mënyrë të tillë që edhe denoncimi i dhunës të jetë pothuajse i pamundur

Sipas ligjit, për të denoncuar dhunën, një grua duhet t'ia tregojë plagët e saj personalisht një gjyqtari mashkull, ndërsa mbetet plotësisht e mbuluar dhe e shoqëruar nga një kujdestar mashkull. Në shumicën e rasteve të dhunës në familje, kujdestar është vetë burri dhunues. Nuk ka asnjë dispozitë në kod që ndalon dhunën fizike, psikologjike ose seksuale ndaj grave.

Edhe arratisja nga dhuna bëhet e pamundur me ligjin e ri

Neni 34 parashikon që gruaja, e cila shkon në shtëpinë e prindërve të saj pa lejen e burrit - madje edhe për t'i shpëtuar dhunës - përballet me deri në tre muaj burg. Me të njëjtin dënim mund të përballen edhe anëtarët e familjes që e strehojnë gruan e dhunuar.

Kodi i ri shfuqizon kuadrin ligjor në fuqi të krijuar nga qeveria e mëparshme e Afganistanit, përfshirë edhe një ligj të vitit 2009 që kriminalizonte martesën e detyruar, përdhunimin dhe dhunën me bazë gjinore dhe dënonte nga tre muaj deri në një vit burg burrat dhunues.

Neni 59 kriminalizon kërcimin – performimin dhe soditjen e tij – pa dhënë ndonjë përkufizim ligjor se çfarë përbën kërcim.

“Kërcimi për djem dhe vajza, dhe ata që luajnë muzikë për ta, ose njerëzit që shikojnë (ndjekin) shfaqjen, janë të gjithë kriminelë. Gjykatësi do ta dënojë secilin prej tyre me dy muaj burgim.”

Ligji i ri gjithashtu kriminalizon mendimin. Të kritikosh çdo veprim të ndaluar nga udhëheqja talebane është në vetvete një vepër penale, duke përfshirë kritikën ndaj ndalimit të arsimimit të vajzave, të cilin gjykatat talebane tani e klasifikojnë si një kufizim të ligjshëm.

Sipas Nenit 23, fyerja e udhëheqësve talebanë dënohet me 20 goditje me kamzhik dhe gjashtë muaj burg.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.