Partia Socialiste gjen grupin e ri armiqësor: Gjykatësit!

Postuar në 06 Shkurt, 2026 14:23
Skerdilajd Zaimi

 

Ulsi Manja, që ka qenë nja ca kohë ministër Drejtësie, ka paralajmëruar dje se reforma në drejtësi do të rishikohet. Komenti i tij është shkëputur nga gazeta “Tema” nga një intervistë që Manja ka dhënë për Top-Channel, shenjë se Mero Baze po gjen ngushëllim te beteja e tij për pafajësinë e Erjon Veliajt. Ta themi menjëherë: është fjala për pafajësi proceduriale, jo penale, pasi për atë nuk interesohet më kush në një shoqëri si jona.

Paska thënë Manja:

Po shfaqen simptomat e një apatie në sistemin e drejtësisë; në KLGJ dhe KLP ka mungesë transparence në vendimmarrje dhe ata e konsiderojnë këtë si diçka që ndodh brenda shtëpisë së tyre. Ka ardhur koha për diskutimin e temës: a e kanë shqiptarët këtë drejtësi cilësore që iu premtua në 2016? U referohem gjykatave të largohen nga roli i noterit dhe të ngrihen në lartësinë që u ngarkon Kushtetuta. Për gjyqtarët ekziston vetëm prova. Vëreni gishtin mendjes, se do të ndërhyjmë në sistem

Prezantimi në këtë formë paraqet interes të madh, pasi i afrohet një lloji të veçatë të Zoologjisë në politikë. Manja u apelon gjykatësve që t’I vënë gishtin kokës duke u kërkuar të ngrihen në lartësinë e detyrimit kushtetues. Po kush e sanksionon cilësinë e gjyqësorit, pos rezultatet e saj dhe organet e qeverisjes së saj?

Pse ndërhryja në reformë u tundet gjykatësve në emër të shqiptarëve? Ne kemi jetuar në këtë vend me të gjitha llojet e drejtësisë dhe askush nuk e ka parë reformimin e saj si e mirë publike, si domosdoshmëri për zhvillimin dhe stabilitetin, por vetëm për balancimin e pushteteve dhe goditjen e kundërshtarit. Nuk ka asgjë për shqiptarët në këto që thotë Manja. Shqetësimi buron strikt nga përshkallëzimi i pashmangshëm, ose nga dialektika nëse duam e ndjekjes penale ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sepse një ndjekje penale e posaçme, me objekt të qartë dhe të thukët, përcakton detyrimisht perspektivën e vet drejt pushtetit në një vend ku korrupsioni është struktura bazë e ekonomisë buxhetore.

Këtë duhet ta kishin kuptuar në mëngjes ata që shesin veten për shtetarë të lindur. Në interesin e pushtetit politik është së pari zgjerimi i lirive të veprimit, imuniteti dhe planifikimi. Asnjë nuk ecën mirë nëse ke ndjenjën që një ditë do trokasin në derë dhe do të të dorëzojnë një letë, forca e së cilën buron nga sistemi që ke miratuar vetë. Kjo ka ndodhur me SPAK dhe GJKKO; një pushtet i ri ka lindur me bekimin e PS-së dhe sot që procesi po shqyrton lidhjet e korrupsionit drejt elitës drejtuese, del Manja. Që në thelb shantazhon gjyqtarët më tepër sesa di të thotë ndonjë gjë më shumë për reformën e re.

Në fund të fundit, shumica mund të ndryshojë Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, ligjin antimafia, deklarimin e pasurive dhe SPAK me të tjerë do të restriktohen vetiu në aspektin funksional. Nuk ndodh kjo sepse shumëkush e kupton se nuk është Ligji problemi në vetvete, por Kontrolli.

Mjafton të shohim sesi po sillet Gjykata Kushtetuese me kërkesën për pezullimin e Belinda Ballukut për të kuptuar fare mirë se Edi Ramës i ka ardhur ora e vet për të dhënë llogari. E ndjen, e di dhe nuk e shmang dot. Kjo është energjia që i jep serum logjik protestës së Berishës nga ana tjetër që op kërkon vetëm një gjë: largimin e Edi Ramës nga karrigia e Kryeministrit. Edhe pse vetë nuk e sheh dhe nuk duhet ta shohë më atë karrige.

Si shtesë përmbyllëse po tërheqim vëmendjen te niveli i shqipes së ish-ministrit të Drejtësisë që vetëm fjalën Drejtësi nuk ka shumë qejf ta zërë në gojësh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.