Antiqyteti
Imagjinoni që poshtë këtyre ndërtesave do të gërmohet në thellësi, shumë më poshtë se kuota e ujërave liqenore, për të ndërtuar parkingje nëntokësore. Vetiu ai vend bëhet për sheikë vendas dhe të huaj që do të krijojnë një anti qytet. Qëllimi i këtyre oligarkëve është grabitja për vete e gjithë pamjes dhe panoramës liqenore.
Këto zona rezidenciale natyrore duhet t’i kthehen natyrës. Për këtë duhet që shteti të jetë ndihmës. Bashkia, së pari, duhet të mos pranojë vendime të imponuara nga lart, nga ortakë që nuk u dhimbset as qyteti dhe as natyra.
Pogradeci im, Pogradeci i qytetarëve, ku një pjesë e madhe janë të ardhur, duhet të ndërgjegjësohet për të respektuar natyrën dhe traditat që kanë lënë trashëgim familjet autoktone. Nëse ruajtja e peizazhit natyror do të shihej si aset i qëndrueshëm zhvillimi dhe turizmi, kjo duhej të fillonte pikërisht nga Pogradeci, që dikur ka qenë kampion kombëtar i peizazhit, panoramës së ëmbël, poetike dhe romantike.
Si banues i lindur nga prindër pogradecarë dhe që jetoj çdo ditë prej 71 vitesh këtu, si piktor që prej 55 vitesh pikturoj këtë vend, si trashëgimtar i kulturës qytetare me emrat e Lasgushit dhe Mitrushit dhe gjithçkaje që na bën krenarë dhe të veçantë në Shqipërinë tonë, kërkoj të pezullohet një projekt i tillë kullash. Le t’i ndërtojnë ku të duan, pse jo në vendin ku ka lindur oligarku, meqë paraja e ngre ujin përpjetë.
Një mani ndërtimesh ndjehet në Shqipëri. Për një territor të vogël dhe të brishtë si vendi ynë, këto ndërtime po e shkatërrojnë ndjeshëm natyrën. Ato nuk kanë harmoni me të dhe për më tepër përpiqen ta sfidojnë. Por natyra do të hakmerret.
Shteti dhe vetë kryeministri duhet ta anulojnë këtë projekt të pamëshirshëm për Pogradecin. Shpresoj që z. Rama, të arsyetojë mbi këtë çështje dhe të mirëkuptojë se zhvillimi e bukuria qëndrojnë te natyra dhe ekuilibri i brishtë i jetës sonë në të.
Vijon nga dje
Marrë nga faqja në Facebook e autorit, piktor i njohur i Shqipërisë

Add new comment